Haradinaj kritik ndaj Hotit: E ka gabim që s’po ndalet, e ka marrë me yrysh punën e dialogut

22:37 | 10 Nëntor 2020

Haradinaj: Hoti e ka gabim që s’po ndalet, e ka marrë me yrysh punën e dialogut.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti po bën gabim që nuk po e pezullon dialogun me Serbinë në këtë situatë që është vendi – ashtu siç edhe ka kërkuar partia e tij.

“Mendoj që [Avdullah] Hoti e ka gabim që nuk po ndalet. E ka marrë disi me yrysh punën e dialogut. Nuk është që po merr ndonjë shpërblim të madh për Kosovën me këtë logjikë të tij. Ndoshta nuk po ka kohë që të ulet dhe të analizojë pak, por kur presidenti i vendit, nuk ka lidhje a është Hashim Thaçi apo është i ndonjë partie kundërshtare, po gjykohet për krime lufte dhe njëkohësisht një kryetar opozite është në gjykatë, ashtu si edhe kryetari i Grupit Parlamentar të partisë tjetër opozitare dhe një ish-kryetar të Kuvendit, duhet të thuhet ‘stop pak’, sepse është minimum kod etik që të kërkojë më shumë kohë që të analizojë gjendjen dhe të konsultohet me spektrin politik”.

“Unë mendoj që e ka gabim, vërtetë është gabim kjo qasje e tij. Është një lakmi e paparë dhe yrysh që të shkojë në tavolina të dialogut, sepse duhet të marrë frymë në të mirën e vendit vet dhe qytetarëve të vet. Duhet t’i shkruajë liderëve të shteteve relevante, të paktën të shteteve të Kuintit, dhe t’iu thotë ‘A po i jepni diçka Kosovës pas kësaj që po i ndodh dhe po na bëni monstrum ndërkombëtar?’. Është humbje për Kosovë mosveprimi i tillë, pra një indiferencë kaq e madhe nuk shpjegohet”.

Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se këtë gjë nuk ia ka kërkuar drejtpërdrejt kryeministrit Avdullah Hoti, por e ka bërë përmes kolegëve në qeveri.

Por, nëse dialogu me Serbinë vazhdon, a do të marrë pjesë AAK-ja?

“Nuk është problemi se çfarë bën AAK-ja, sepse ne mund të ushtrojmë ato funksione. Sikur të kishim pasë më shumë votë, atëherë do ta bllokonim disi”.

Në ndërkohë, Haradinaj e ka kritikuar partnerin e tij të koalicionit Avdullah Hotin për deklaratën e tij në mbledhje të qeverise se “nuk ndërhyn në drejtësi” duke iu referuar aktakuzave dhe arrestimeve të fundit të Gjykatës Speciale.

“Kujt po i thua ‘nuk ndërhyj në drejtësi’? Kush të kërkoi që të ndërhyje në drejtësi? Nuk guxon që të ndërhysh në drejtësi, nuk mundesh dhe të çojnë në burg nëse ndërhyn në drejtësi. Kryeministri nuk duhet të thotë ‘nuk ndërhyj në drejtësi’, se nuk është fjalë e kryeministrit ajo. Kryeministri e di çfarë është ligji dhe a ndërhyhet apo jo. Kush i ka kërkuar që të ndërhyjë në drejtësi? Këto janë zhvillime politike që kanë konotacion politik, prandaj në parametra politikë duhet të veprojë”.

Komento: