ShSKUK pranon 40 pajisje ndihmëse nga Handikos

10:42 | 08 Korrik 2021

Handikos dhuron 40 pajisje ndihmëse për ShSKUK-në.

Handikos ka dhuruar rreth 40 pajisje ndihmëse, si karroca, shëtitore, paterica, për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), të cilat do t’u shërbejnë qytetarëve që kanë nevojë për to.

Pajisjet e dhuruara sot nga Handikos-i për ShKSUK-në kanë vlera të ndryshme monetare, ku karrocat kapin vlerën prej 1 mijë euro deri në 12 mijë euro.
Drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi tha se këto pajisje do t’u shërbejnë klinikave të ndryshme për nevoja të ndryshme, teksa shtoi se donacione të ngjashme do të dhurojnë edhe në të ardhmen.

“Ne sot kemi sjell rreth 40 pajisje të ndryshme për ShKSUK-në, të cilat do t’iu shërbejnë për klinika të ndryshme, qytetarëve në nevojë apo pacientëve këtu meqenëse kanë vështirësi në lëvizje dhe kanë mungesa të pajisjeve. Ne jemi munduar që jo vetëm personat t’i mbështesim personalisht por edhe institucionet tona për shkak se nevojat janë të mëdha. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që të bashkëpunojmë që t’iu shërbejmë të gjithë qytetarëve në vendin tonë”, tha ai.
Drejtori i ShKSUK-së, Valbon Krasniqi shprehu mirënjohje për kontributin e Handikos-it duke thënë se simbolika e këtij bashkëpunimi është më e rëndësishme se vet donacioni.

“Është fare pak i rëndësishëm numri i këtyre pajisjeve aq sa është e rëndësishme simbolika e këtij bashkëpunimi me Handikos-in. ShKSUK do t’i përdorë këto pajisje vetëm për qëllimin për të cilin kanë ardhur donacion nga Handikos dhe në të njëjtën kohë do t’i kushtojmë vëmendje dhe do t’iu japim prioritet shërbimeve për anëtarët e shoqatës së Handikos-it”, tha ai.

Komento: