Sami Lushtaku komenton raportimin e Simmons: Është e vërtetë ajo që ka thënë ai

22:45 | 15 Korrik 2021

Ish kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku ka komentuar deklaratat e ish-kryegjykatësit të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons i cili tha se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin “peshqi të mëdhenj”.

Lushtaku në T7 tha se drejtësia nuk duhet të funksionojë në këtë formë. Ai shtoi se nuk e ka të qartë kush është ‘peshk i madh’ e kush është ‘peshk i vogël’.

“Drejtësia nuk duhet me funksioni kështu, nuk e kam qart kush është peshk i madh e kush është peshk i vogël, ata që kanë ra ndesh me ligjin pak ka rëndësi kush është, a është qytetar, a është politikan a komandant në polici. E vërteta është ajo që ka thënë zotri Simons, derisa dikush akuzohet me akuza të pabaza nuk do koment. Nëse ne jemi respektu nga një pjesë e qytetarëve ne nuk kemi ra ndesh me ligjin”, tha Lushtaku.

Tutje ai tha së ishte akuzuar edhe nga mediat për ikjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, derisa e ka mohuar një gjë të tillë.

Lushtaku tha se nuk ka dashur të shkonte në burgun e veriut të Mitrovicës pasi atje nuk ishte asnjë gardian shqiptar e as ndërkombëtar.

“Unë jam akuzu edhe prej mediave për ikjen nga spitali, kjo nuk është e vërtetë nuk ka ndodhur asnjëherë. Nuk kam dashtë me shku në Mitrovicë, atje ku nuk ka asnjë gardian shqiptar dhe asnjë ndërkombëtar. Institucionet e Kosovës kanë thënë që nuk ka siguri për ushtarët e uck në veri të Mitrovicës”, tregoi Lushtaku.

Komento: