Ministria e Shëndetësisë dërgon kontingjentin e dytë të barnave në Deçan

23:54 | 15 Korrik 2021

Pas helmimit të mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar kontingjentin e dytë të barnave në këtë komunë.

“Ministria e Shëndetësisë në koordinim me ShSKUK, nga Barnatorja Qendrore e ShSKUK-së dërgoi sonte kontingjentin e dytë të barnave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon angazhimin dhe përkushtimin për të tejkaluar sa më shpejtë gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit, pas dyshimeve për helmim të qytetarëve.

“Pas dërgimit të kontingjentit të parë të barnave, me kërkesë të stafit udhëheqës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar sonte edhe kontingjentin e dytë të barnave. Sot ka pasur fluks më të vogël të qytetarëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe falë angazhimit të përbashkët të institucioneve përgjegjëse komunale dhe qendrore situata në Deçan tashmë është nën kontroll”, është thënë në njoftim.

Komento: