Kokaj i VV-së: Ka pengesa të rrezikshme për krijimin e infrastrukturës laboratorike, por Kurti m’i kupton qëllimet

10:04 | 16 Korrik 2021

Kokaj: Ka pengesa të rrezikshme për krijimin e infrastrukturës laboratorike, por Kurti m’i kupton qëllimet.

Fizikani Jahja Kokaj thotë se s’duhet të krijohen pengesa për të arritur ambiciet e tij në shtrimin e një infrastrukture shkencore edhe në Kosovë dhe se për këtë duhet edhe përkrahje politike.

Për raportimet se “do të nisë një satelit nga Kosova”, Kokaj ka thënë se deklaratës së tij iu dha hov në media, por se ai vetëm e ka shpjeguar një proces të tillë, njofton Klan Kosova.

Kokaj ka folur edhe për qendrën kozmologjike dhe laboratorin nanoteknologjik që pritet të ndërtohet në Gjakovë.

“Gjithmonë jam munduar të gjeneroj infrastrukturë teknologjike, laboratorike. Zaten edhe me filantropi personale jam munduar të arrij këtë qëllim. Pengesat apo moskuptimi, qoftë i politikanëve apo edhe i njerëzve, e ka bërë këtë të pamundur. Në një moment ish-studentë të mi, tashmë janë në moshë rreth 60-ve, ndërtimin e qendrës kozmologjike-nanoteknologjike në Kosovë. Dhe njëri nga ata, një shqiptaro-amerikan mori përsipër investimin prej pesë milionë dollarësh”.

Kokaj në Klan Kosova ka thënë se institucionet e Kosovës s’kanë pasë guxim që të qesin hapin për zhvillimin e kësaj teknologjie bashkëkohore.

Profesori Kokaj thotë se potencialiteti intelektual i rinisë kosovare është i vrullshëm, prandaj edhe duhet shfrytëzuar.

“Ta gjenerojmë dhe ta ndërtojmë një laborator ku me njerëz ta zhvillojmë kureshtjen dhe ne kemi njerëz duke u përgatitur edhe në botën e jashtme”.

Kokaj thotë se edhe kjo është arsyeja kryesore pse iu fut politikës, sepse, sipas tij, kjo është mënyra direkte për të dhënë kontributin.

“Ka rezistencë, por është normale rezistenca e njerëzve që s’e kuptojnë ashtu. Mu edhe për këtë arsye edhe jam munduar. Unë kam qenë edhe në UÇK dhe njerëzit më duan. Komandantët e ministrat më kanë dashtë, por kur ia shpjegoja këtë më thoshin “faleminderit prof” dhe kur dilja prej derës, përfundonte ajo punë. U kyça në politikë për arsye që të marr njëfarë fuqie të tillë, sepse e kuptova që po s’pate fuqi politike s’do të mundësh të depërtosh edhe me qëllime shkencore. Njerëzit e spektrit politik, përfshirë edhe kryeministrin që është shumë intelektual që po m’i kupton qëllimet e mia dhe shpresoj që s’do të pengojë askush. Po të mos kishin ekzistuar këto pengesa, do t’i kisha realizuar moti”.

“Kam pasë pengesa shumë të mëdha dhe të rrezikshme. Sikurse analoge me Jan Hus dhe Galileo Galilei, unë jam shumë i vogël në krahasim me ata, por domethënë ke pengesa. Por këto kalohen me fuqi politike që të realizojmë qëllimin për qendrën nanoskopike dhe astronomike”.

Komento: