MB pa të dhëna se sa persona iu përgjigjën thirrjes për t’iu bashkuar FSK-së

20:31 | 08 Nëntor 2021

Ministria pa të dhëna se sa persona iu përgjigjën thirrjes për t’iu bashkuar FSK-së.

Në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës së fundi është hapur konkursi i ri për të gjithë të rinj e të rejat që duan t’i bashkohen institucionit më të besueshëm në vend.

Por pavarësisht se konkursi ka më tepër se 10 ditë që është hapur, nga Ministrja e Mbrojtjes nuk kanë të dhëna se sa është numri i atyre që kanë aplikuar.

Të kontaktuar nga lajmi.net, të njëjtit kanë theksuar se aktualisht nuk kanë të dhëna në shifra dhe se kjo gjë do të dihet vetëm në përfundimin e procesit të aplikimit.

“Procesi i rekrutimit është duke u zhvilluar dhe aktualisht nuk kemi të dhëna në shifra. Në përfundimin e procesit te aplikimit me 12.11.2021, do të kemi shifrat përfundimtare të aplikuesve”, u tha në përgjigjen e MB-së.

Por lidhur me këtë proces, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj pati vazhdimisht thirrje publike në drejtim të qytetarëve të cilët mund të aplikojnë në këtë konkurs.

Madje ditë më parë ministri bëri thirrje edhe një herë që të rinj e të rejat e Kosovës të bëhen pjesë e konkursit për pranimin e ushtarëve të rinj të FSK-së.

“Të rinj e të reja të Republikës së Kosovës. Kam kënaqësinë që edhe njëherë të ju ftoj, të konkurroni në konkursin për pranimin e ushtarëve të rinj në FSK.
Ju ftoj ju, të gjithë të rinj e të reja të vendit tonë, të të gjitha komuniteteve pa dallim, që dëshironi të jeni pjesëtarë të FSK-së, që të na bashkoheni për shërbim ndaj vendit”, tha Mehaj.

Madje ministri Mehaj u mundua që të rinjve të Kosovës t’ua bëjë me dije se ky proces është fer dhe transparent, e në përputhje të plotë me procedurat dhe kriteret mbi parimin e mundësisë dhe shanseve të barabarta.

Lidhur me këto deklarata dhe thirrje publike të Mehajt nga Ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar se kjo s’ka të bëjë me numrin e vogël të aplikimeve, e që sipas tyre numri i aplikuesve për t’u bërë pjesë e FSK-së në të gjitha proceset rekrutuese ka qenë shumëfishë më i madh sesa numri i pozitave të shpallura për pranim.

“Bazuar ne rregulloren e rekrutimit është e përcaktuar realizmi i fushat informuese dhe mediale për qytetarët kur bëhet hapja e konkurseve për rekrutim. Përkundrazi, numri i aplikuesëve për të qenë pjesëtarë i FSK-së në të gjitha proceset rekrutuese ka qenë shumëfish më i madh sesa numri i pozitave të shpallura për pranim”, u tha në përgjigje.

Duke mos bërë të ditur shifra të sakta nga Ministria e Mbrojtjes u theksua se aktualisht numri i pjesëtarëve të FSK-së është në kornizat e dinamikës së përcaktuar për rekrutimin e kapaciteteve njerëzore sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

“Kapacitetet njerëzore, logjistike, sistemeve te mbrojtjes, ato materiale, teknike dhe teknologjike, do të realizohen varësisht nga nevojat për të realizuar me sukses misionin kushtetues dhe detyrat ligjore të FSK-së”, u theksua tutje.

Por në numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka edhe nga komunitetet.

Numri i pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Forcën e Sigurisë së Kosovës aktualisht është 8 përqind, nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të kësaj force.

E në kuadër të konkursit të fundit të hapur në Forcën e Sigurisë së Kosovës në FSK do të pranohen edhe gjithsej 840 pjesëtarë të rinj, të cilët do të njihen edhe si ushtarët e shtetit të Kosovës.

Duhet përkujtuar që Forca e Sigurisë së Kosovës ndër vite vazhdon të renditet si institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Kosovës, nga shumë hulumtime të kryera në drejtim të qytetarëve të vendit.

Komento: