
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është miratuar rekomandimi i Komitetit për imunizim kundër COVID-19, për të vaksinuar edhe shtetasit e huaj në Kosovë.
“Vaksinimi edhe i qytetarëve jo-kosovarë bëhet me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në këtë periudhë të fund-vitit kur ka edhe fluks më të madh të ardhjeve të qytetarëve nga vende të ndryshme në Kosovë dhe kur institucionet kosovare kanë mundësi që të ofrojnë vaksina për të gjithë qytetarët në Kosovë, të moshës mbi 12 vjeç, pa marrë parasysh se a janë shtetas të Republikës së Kosovës apo jo”, thuhet në një njoftim të MSH-së të martën.
Tani në Kosovë njerëzit mund të vaksinohen pa caktuar fare termin, ndërsa është shtuar numri i ekipeve që kryejnë vaksinim.
Megjithatë, interesimi ka rënë ndjeshëm. Përderisa në valën “Delta” në ditë arrinte shifra prej 20 mijë vaksinimesh, tani ajo po sillet nën 5 mijë.
Në nivel vendi 743 mijë qytetarë i kanë marrë nga dy dozat, ndërsa është nën 100 mijë numri i atyre që po presin për dozën e dytë.