
Në forumin e biznesit Kosovë-Shqipëri, i cili po mbahet në Elbasan krerët e dy qeverive, asaj shqiptare dhe kosovare u pajtuan se ka një trend të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, ndërkohë që u zotuan se do të vazhdojnë të angazhohen në lehtësimin e këtyre shkëmbimeve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar si pozitiv trendin e shkëmbimeve tregtare, ndërsa shtoi se marrëveshjet e nënshkruara sot në kuadër të mbledhjes së shtatë të dy qeverive adresojnë problematikat biznesore.
“Në këto vite ka një trend konstant rritës në shkëmbimet tona tregtare, por ne besojmë që potenciali është ende më i madh dhe përtej asaj që i takon vetë biznesit është detyra jonë që të lehtësojmë sado që të jetë e mundur shkëmbimet tregtare shtimin e aktivitetin e bizneseve në shtete respektive dhe ndërveprimin mes tyre nga shteti në shtet. Edhe sot një pjesë e marrëveshjeve të bëra adresojnë pikërisht nevojën e lehtësimit të këtyre shkëmbimeve, transiti i përbashkët dhe zhdoganimi është një punë e nisur qysh prej disa vitesh midis administratave doganore por tani më kemi një plan veprimi të përbashkët për të zbatuar procedurat e transitit në zyrën e doganës së Kosovës pranë Portit të Durrësit për mallra me destinacion Kosovën gjë që ka nisur prej janarit të vitit 2019 dhe në të njëjtën kohë ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”, u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar tha se edhe për frutat dhe perimet garantohet lehtësim drastik i procedurave të transportit, bazuar në njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare.
Ai tha se marrëveshja e sotme për lehtësimin e tregtisë mes palëve do krijoj lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore për mallrat.
“Një marrëveshje e firmosur sot për lehtësimin e tregtisë mes palëve do bëjë lehtësimin e mëtejshëm të të gjithë procesit të procedimit në doganë dhe të hyrje e daljeve të mallrave… po ashtu kemi bërë njohjen reciproke të licencave doganore dhe regjistrimi i tyre pranë autoriteteve kompetente doganore në mënyrë që kryerja e deklarimeve dhe transitit në territorin e njërës Republikë apo tjetër të jetë e unifikuar dhe të përfshij edhe njohjen e garancisë për borxhin e mundshëm në këtë regjim. Përcaktimi që në zonën doganore të Portit të Durrësit dhe Porto Romano, vendoset zyra doganore e Kosovës dhe në vijim sipas interesit reciprok të palëve vendosja e zyrave dhe agjencive të tjera të palës tjetër besoj që është një lajm pozitiv”, theksoi ai.

Në forumin me bizneset nga Shqipëria dhe Kosova, Rama foli edhe për njohjen e ndërsjellë të certifikatave veterinare dhe fitosanitare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se është e rrugës që dy qeveritë të zotohen për heqjen e barrierave jo tarifore duke krijuar një komision të përbashkët ndërqeveritar.
Kurti po ashtu tha se nëse krahasohet viti 2010 me vitin 2020 në aspektin e qarkullimit të mallrave ka një rritje prej 200 për qind.