
SHSKUK bashkëpunon me Universitetin “Johns Hopkisns” në SHBA për trajtimin e pacientëve me COVID.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se ka filluar bashkëpunimin me Universitetin “Johns Hopkins” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Express.
Sipas SHSKUK’së, kontaktet e para zyrtare janë vënë sot përmes një tele-konference, ku është diskutuar në lidhje me trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19, dedikuar anesteziologëve- intensivistëve të SHSKUK-së, në të cilën mori pjesë, Arbër Shehu, mjek i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, që tash punon në Universitetin “Johns Hopkins”, përmes të cilit, sipas këtij Shërbimi është bërë i mundur kontakti edhe me profesorët më eminent të këtij universiteti, David Hager dhe William Garneau.
“Kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, dr. Agreta Gecaj- Gashi dhe drejtori SHSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi, janë shprehur mirënjohës dhe vlerësuan lart kontributin e profesorëve nga Universiteti “Johns Hopkins” në këtë konferencë, e cila është e domosdoshme dhe e mirëseardhur për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar”, thuhet nga SHSKUK.
Përveç QKUK-së, konferenca është transmetuar edhe në spitalet e përgjithshme.