
Albulena Haxhiu ‘godet’ Haradinajn për Radojçiqin: Grupet kriminale priteshin në zyret më të larta të shtetit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka përshëndetur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e grupeve të krimit të organizuar në veri të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq.
Haxhiu përmes një shkrimi tha se dikur këto grupe kriminale janë pritur edhe në zyret e institucioneve tona më të larta, duke e goditur kështu liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, pasi ky i fundit sa ishte në qeveri e kishte pritur në në zyrën e tij, Milan Radojiçiq.
“Lajm jashtëzakonisht i mirë saksionimi i grupeve të krimit të organizuar në veri të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq. E kemi theksuar që moti se veriu është i tillë jo për shkak të banorëve, por sepse është kontrolluar nga grupe të tilla kriminale që nuk kanë pasur vetëm mbështetjen e Beogradit, por edhe të Prishtinës. Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës.
Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep te saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-ve mbi këto grupe kriminale tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane”, shkroi Haxhiu.
Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë nga 24 entite në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.