Ministrja Haxhiu: Qytetarët duhet të presin minimum gjashtë vjet për adresimin e lëndëmë

13:00 | 16 Dhjetor 2021

Haxhiu: Qytetarët duhet të presin minimum gjashtë vjet për adresimin e lëndëmë.

Minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të përkushtuar që ta shtyjnë përpara agjendën qeveritare në sundimin e ligjit dhe në avancimin e të drejtave të njeriut.

Ajo tha se vizioni i qeverisë është drejtësia e pavarur, e paanshme, efikase dhe profesionale, derisa shtoi se janë duke punuar ndër të tjera edhe në adresimin e krimeve të luftës.

“Ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë për adresimin e krimeve të luftës. Në këtë drejtim së bashku me Prokurorinë Speciale kemi konsideruar se duhet të adresohet çështja e gjykimit në mungesë për kriminelët e luftës. Ky ndryshim është bërë, ka hyrë në fuqi dhe pritet që i njëjti të zbatohet në përpikmëri. Po ashtu kemi shtuar kapacitetet në Prokurorinë Speciale, më saktësisht në Departamentin për Krimet e Luftës. Jemi duke punuar në çështjen e dokumentimit të krimeve të luftës përmes një mekanizmi të veçantë ku do të dokumentojmë të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë”.

Haxhiu ka thënë se prioritet i Qeverisë Kurti është edhe adresimi i dhunës në familje, fenomen i cili thotë se duhet luftuar jo veç 16 ditë në vit.

“Prioritet i qeverisë tonë është adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe në baza gjinore dhe për këtë nuk duhet të angazhohemi vetëm në 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore, por në secilën ditë. Që nga momenti kur kam pranuar detyrën si ministre e Drejtësisë kemi zgjedhur Koordinatorin Nacional kundër Dhunës në Familje dhe i kemi bërë të rregullta takimet e grupit ndërministror ku institucionet vijnë, marrin përgjegjësi dhe kryejnë detyrat të cilat i kanë, ndonëse nuk jam shumë e kënaqur me angazhimin institucional. Për ta adresuar një fenomen që është jashtëzakonisht i rëndë dhe shumë i rrezikshëm duhet përbashkim dhe angazhim maksimal, sepse vetëm gjatë këtij viti kemi pasë mbi 2000 raste të dhunës në familje”.

Haxhiu ka folur edhe për problemin e stërzgjatjes së lëndëve, njofton Klankosova.

“Qytetarët duhet të presin minimum gjashtë vite për adresimin e lëndëve në sistemin e drejtësisë. Jam jashtëzakonisht e interesuar që të bashkëpunoj me institucionet e drejtësisë për të mirën e qytetarëve. Unë kam zgjatur dorën e bashkëpunimit dhe pres të njëjtën ta bëjnë edhe institucionet e drejtësisë. Konsideroj që ky raport i EULEX-it është profesional dhe i nevojshëm edhe për sistemin e drejtësisë”.

Ministrja Haxhiu këto komente i bëri derisa EULEX-i ka prezantuar raportin e dytë publik të Monitorimit Sistemik dhe Tematik në Drejtësi me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Komento: