
Telekomi pret që të hetohet prej fillimit kontrata me Z-Mobilen
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të kthehet në Apel kontesti i përmbarimit të borxhit të Telekomit ndaj Dardafonit për marrëveshjen e Z-Mobilet, ndërmarrja publike ka thënë se tash pret që të ketë hetim të kontratës që nga fillimi i saj.
Të premten, Kushtetuesja njoftoi se për shkak që Gjykata Themelore nuk kishte pritur përgjigjen e Telekomit për precizim të borxhit që duhet përmbaruar është shkelur e drejta e barazisë. Me këtë rast ajo ktheu vendimin në Apel, që si gjykatë nuk e kundërshtoi vendimin e Themelores. Njëjtë veproi edhe Supremja.
Në një komunikatë për media, Telekomi ka përshëndetur vendimin duke thënë se megjithatë s’janë plotësuar të gjitha pritshmëritë. Sipas Telekomit, aktvendimi i Themelores nga 6 korriku i vitit të kaluar do të duhej të anulohej.
Megjithatë, Telekomi ka thënë se pret që tash Apeli të marrë vendim të paanshëm dhe që ky të jetë fillimi i “vendosjes së drejtësisë”. Kjo ndërmarrje po ashtu ka thënë se pret që tash të kompensohet dëmi që i është shkaktuar nga marrëveshja me Z-Mobile.
“Pavarësisht kësaj, Telekomi i Kosovës sh.a. shpreh pritshmëritë që në procedurën e përsëritur, Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë dhe vlerësojë me profesionalizëm dhe paanësi të gjitha pretendimet ankimore dhe do të marrë një Vendim në përputhje me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Telekomi i Kosovës sh.a. beson se ky është vetëm fillimi i vendosjes së drejtësisë lidhur me kontratën tashmë famëkeqe me Z-Mobile. Telekomi i Kosovës sh.a. beson fuqishëm dhe është i bindur se organet e drejtësisë do të fillojnë ta hulumtojnë prej fillimit këtë kontratë, e cila i ka shkaktuar dëme qindra milionëshe Telekomit. Gjithashtu, shpresojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë një moment i ri dhe një shtysë e re për institucionet tona të drejtësisë, që Telekomit të Kosovës sh.a. përmes një procesi të ardhshëm gjyqësor, t’i kompensohet dëmi i shkaktuar ndër vite nga kontrata me Z-Mobile”, thuhet në komunikatë.
Nga Arbitrazhi Ndërkombëtar Telekomi ishte obliguar t’ia paguajë më shumë se 20 milionë euro Z-Mobile për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes. Çështja pati nxitur shumë debat në vend për disa vjet.