Pasi shënoi dy super gola, Berat Gjimshiti: Ndoshta mund të luajë sulmues

09:55 | 18 Shkurt 2022

Berat Gjimshiti ka bërë shaka duke thënë se ai mund të luajë sulmues në ndeshjen e radhës.

Qendërmbrojtësi i Atalantas shënoi dy gola në ndeshjen që skuadra e tij e fitoi 2:1 kundër Olympiacosit në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Evropës.

“Kemi folur në pjesën e parë. Ato 15 minuta kemi diskutuar se çfarë po shkonte keq. Kemi thënë se duhet të zgjohemi dhe të fitojmë. Ishte shpirti i duhur dhe e kthyem ndeshjen”, ka thënë Gjimshiti për “Sky Sport Italia”.

Atalanta ka mungesë të sulmuesve. Duvan Zapata do të mungojë disa muaj dhe Luis Muriel u zëvendësua për shkak të problemeve me muskuj.

“Ndoshta ndeshjen tjetër mund të luajë sulmues! Shpresojmë që pas lëndimit të Duvanit, mos të ketë diçka serioze për Murielin. Ata janë sulmuesit tanë dhe ne kemi nevojë për ta. Ne mund të shpresojmë për më të mirën. Na mungonte fitorja, sidomos në shtëpi. Nuk kam shënuar për një kohë të gjatë, kështu që jam i lumtur”, u shpreh Gjimshiti.

Gjimshiti ka shënuar vetëm 4 gola në 130 paraqitjet e kaluara me fanellën e Atalantas.

Goli i fundit i shënuar nga ai ka qenë në nëntor të vitit 2018.

Komento: