Real Madrid i vendos ultimatum Mbappes: Ja tani, ja kurrë

23:58 | 20 Shkurt 2022

Real Madrid, e ka paralajmëruar sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe, se ka mundësi që ai të mos ketë kurrë shansin për të realizuar ëndrrën e tij për të luajtur në Santiago Bernabeu nëse nuk e pranon ofertën e tyre këtë verë.

Mbappe ka hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij në Paris dhe pritej gjerësisht të bashkohej me Realin në fund të sezonit, por PSG nuk ka hequr dorë nga shpresa për ta mbajtur 23-vjeçarin dhe vazhdon t’i bëjë atij oferta të reja, përcjell ORAinfo.

Propozimi i fundit, sipas The Times, është një marrëveshje dyvjeçare me një pagë astronomike që eklipson gjithçka që Reali mund të ofrojë, dhe ndjenja është se Mbappe nuk e ka përjashtuar mundësinë e nënshkrimit.

Kjo nuk i ka rënë veçanërisht mirë Realit, të cilët besojnë se kanë një marrëveshje joformale me Mbappe për të nënshkruar një transferim të lirë në fund të sezonit.

Ata që janë përgjegjës në Bernabeu e kanë paralajmëruar Mbappen se propozimi i tyre nuk do të jetë përgjithmonë në tryezë dhe paratë e vendosura për nënshkrimin e tij do të riinvestohen në objektiva të tjerë, si Erling Haaland i Borussia Dortmundit, nëse ai nuk bashkohet tani. /ORAinfo/

Komento: