Pushtimi i Ukrainës preku sportin, zbulohen sanksionet e para kundër Rusisë

15:32 | 25 Shkurt 2022

Pushtimi i Ukrainës preku edhe sportin.

Lufta që presidenti rus Vladimir Putin nisi duke e sulmuar ushtarakisht Ukrainën po pason me ndikim dhe sanksione ndaj Rusisë edhe në fushën e sportit.

Një nga vendimet e para u mor ishte ai që finalja e Champions League nuk do të luhet në Shën Petersburg të Rusisë, siç ishte paracaktuar, por u zhvendos të luhet në Paris më 28 maj të këtij viti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Rrjedhimisht, UEFA doli e para që i tregoi Rusisë se nuk do të ketë mëshirë në vendime dhe sanksione sportive për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Mediat ndërkombëtare raportojmë se edhe ekipi i futbollit të Rusisë është në “rrezik” që t’i humbë ndeshjet për kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Gjithashtu, edhe disa klubet e njohura Europiane të futbollit, Schalke 04 e Gjermanisë dhe Manchester United e Anglisë morën vendimet për ndërprerjen e sponsorizimeve nga kompanitë ruse. Schalke 04 ndërpreu bashkëpunimin me Gazprom, si sponsor i përgjithshëm i klubit dhe njoftoj për largimin e logos së saj nga fanellat, derisa Manchester United ndërpreu kontratën me Aeroflot, gjithashtu një firmë ruse.

Rusa gjithashtu u hoq edhe nga kalendari për vitin 2022 i garave të Formula 1, shkruan Reporteri.net. Pra gara për çmimin e madh në Rusi, e paraparë për në fund të shtatorit të këtij viti nuk do të zhvillohet.

Nga ana tjetër, Seria A në Itali, njoftoi sot se fillimi i ndeshjeve të futbollit në Itali do të vonohet me pesë minuta për të rritur ndërgjegjësimin për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Sporti nuk bën politikë, por bën thirrje me zë të lartë për paqe”, ka thënë presidenti i FIGC, Gabriele Gravina.

Komento: