“Agim Ademi i shpalli zgjedhjet jashtëligjshëm”, Eroll Salihu u çon letër drejtuesve të FFK-së

20:39 | 03 Mars 2022

Ish-sekretari i FFK-së, i cili ka punuar ndër vite në statutin e FFK-së, i ka dhënë goditje te fortë Komitetit Ekzekutiv ne krye me Agim Ademin, të cilët dje papritmas e caktuan 6 prillin si datë e mbajtjes së kuvendit zgjedhor të FFK-së.

Mandati i Ademit skadon në korrik, ndërsa Eroll Salihu thotë se caktimi i datës së kuvendit zgjedhor më 6 prill është jostatutar dhe joligjor, duke i shtuar edhe më shumë dyshimet mbi këtë proces.

Madje ai ua ka dërguar një letër drejtuesve të FFK-së, përmes së cilës ua ka bërë me dije se ky kuvend i thirrur për 6 prill është joligjor, duke ua interpretuar statutin.

“Vendimi i shpallur dje në web-faqen zyrtare të FFK-së tregoi edhe një herë për moskokëçarjen tuaj as për Statut, as për Ligj e lere më për norma etike e morale apo ‘për të mirën’ e futbollit siç e quani ju nganjëherë. Nuk mund ta kuptojë këtë shkelje pa kurrfarë baze dhe nevoje”, thuhet në fillim të letrës.

“Zgjedhjet për kryetarë dhe anëtarë të KE-së duhet të jenë të shenjta sepse vota e lirë është instrumenti më demokratik për ata që harxhojnë mijëra e disa edhe miliona euro. Thirrja e këtij Kuvendi zgjedhor në mënyrë të jashtë ligjshme është e tillë sepse:

Kuvendi zgjedhor është i paracaktuar me datë 3 Korrik 2022 kur mbushen 4 vjet;

Formalisht, Kuvendi duhet të thirrët 2 muaj më herët;

Mandati i kryetarit zgjatë 4 vjet e jo 3.5 vjet;

Mandati i kryetarit përfundon me vdekjen e tij, me dorëheqje, me shkarkimin e tij nga Kuvendi i FFK-së, me dënimin e Gjykatës me Akt-gjykim të plotfuqishëm (gjë që ka ndodhur) apo ndonjë rast tjetër të paraparë me Ligj;

Në këtë rast mund të konvokohet vetëm Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe atë nëse ndonjë kusht i lartpërmendur është imponuar. Askund nuk shkruan se Kuvendi zgjedhor i rregullt mund të mbahet më herët, dhe më e rëndësishmja,

Në muajin Korrik struktura e delegatëve ndryshon: ekipet e Superligës bien nga liga dhe u mbetet vetëm nga një votë ndërsa ekipet që hyjnë e kanë një votë më shumë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Salihut për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.

Komento: