
Biznesi i mbjelljes së flokëve, ATK bastisë klinikën që shmangu tatimin prej 100 mijë euro.
Mbjellja e flokëve po del të mos jetë vetëm ‘trendi’ për qytetarët, por edhe biznes i jashtëzakonshëm fitimprurës për klinikat që e ushtrojnë këtë veprimtari. Vetëm një e tillë, e që është ‘Vatan Med’ me seli në Prishtinë, sipas ATK’së, ka bërë evazion fiskal në vlerë prej 100 mijë euro.
Të martën ATK ka trokitur në dyert e kësaj klinike, dhe ka kryer bastisje, për të siguruar dëshmi që tregojnë se aty është dëmtuar buxheti i shtetit prej rreth 100 mijë euro, duke bërë shmangie nga tatimi.
Hetuesit e ATK-së cak kishin dy lokacione të një kompanie biznesi, e cila ushtron veprimtarinë e mbjelljes së flokëve. Kjo kompani po dyshohej për shmangie tatimi rreth 100 mijë euro.
Nga hetuesit në këtë biznes u sekuestruan dokumentacione, fatura të shitjes së shërbimeve, evidencë të pagesave nga klientët, lista e produkteve në stoqe dhe çështje të tjera të rëndësime për hetuesinë.
Rasti do të procedohet në prokurorinë kompetente derisa të gjeturat do të bëhen publike pas analizimit të rastit.
“Sot Administrata Tatimore e Kosovës, konkretisht Departamenti i Hetimeve Tatimore në asistencë të Policisë së Kosovës ka zhvilluar aksion hetimor në Prishtinë. Qëllimi i ndërmarrjes së këtij aksioni ishte hetimi i transaksioneve biznesore tek një kompani, të cilat transaksione bazuar në informatat e pranuara nga palët e treta, si dhe krahasimit të tyre me informatat me të cilat disponojmë në databazën e ATK-së, kemi konstatuar mospërputhje të deklarimeve të bëra në ATK ne raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta”.
“DHTI pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli ( bastisje ). Aksioni është zhvilluar ne dy lokacione tek i njëjti biznes, i cili veprimtari primare ka aktivitetet e mjekësisë së specializuar, ku gjatë aktivitetit si provë materiale tek ky biznes janë sekuestruar përkohësisht: Dokumentacion kontabël; Fatura të shitjes së shërbimeve; Evidencën e klientëve për shërbimet e kryera ( pagesat ); Lista e produkteve në stoqe; 2 USB; Ekstraktimi i dosjeve elektronike nga 5 kompjuterë, si dhe shënime të tjera relevante rreth rastit”, thuhet në njoftimin e ATK’së.