
Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me raportimet për rrëmbim e rrahje të qytetarëve serbë në veri të Kosovës nga struktura kriminale serbe.
Në deklaratën e tyre, Zyra për Informim e Policisë ka njoftuar se këto raportime po merren seriozisht dhe se policia po i heton rastet.
“Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre”, bëhet e ditur në komunikatë.
Njëherit, Policia e Kosovës njofton edhe për vendosjen e pikave të kontrollit të automjeteve nëpër disa qytete në veri.
Njoftimi i plotë:
Rrëmbimet e qytetarëve serb në veri të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës i trajton me seriozitet
Prishtinë, më 21 dhjetor 2022
Kërcënimet dhe rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ka krijuar rrethana të domosdoshme në ngritjen e kapaciteteve policore në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.
Në funksion të kësaj përveç angazhimeve aktive, janë vendosur edhe pika kontrolli të automjeteve nëpër qytete dhe akse rrugore.
Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre.
Policia e Kosovës, falënderon qytetaret për bashkëpunimin e vazhdueshëm ofrimin e informatave të rëndësishme për adresimin efikas të këtyre veprimeve kriminale që si tendencë kanë krijimin e panikut dhe frikës tek qytetarët e vendit tonë.