Osmani për vendimin e MAShT-it: Rrezikohet që nxënësit të mbeten pa tekstet e nevojshme mësimore

16:39 | 21 Gusht 2023
osmani-per-vendimin-e-masht-it:-rrezikohet-qe-nxenesit-te-mbeten-pa-tekstet-e-nevojshme-mesimore

Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, rreth vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), për Dukagjinin ka thënë se i njëjti mund të shkaktojë problem sepse rrezikohet që prindërit të mos i përdorin ato mjete për destinimin e duhur, e kështu nxënësit të mbeten pa tekstet e nevojshme mësimore.

“Vendimi i marrë nga MASHT-i që të bartë në xhirollogari të prindërve mjetet financiare, mund të shkaktojë probleme, pikë së pari sepse rrezikohet që prindërit të mos i përdorin ato mjete për destinimin e duhur e kështu nxënësit të mbeten pa tekstet e nevojshme mësimore”, ka thënë Osmani.

Ai ka thënë se mbulimi i kostos së teksteve mësimore ka qenë një ndihmesë për prindërit dhe ka ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Mbulimi i kostos së teksteve mësimore për nxënësit e klasave 1-9 ka qenë një ndihmesë për prindërit dhe ka ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e procesit mësimor, përkundër faktit se janë evidentuar edhe shumë shkelje e cilësi e dobët”, ka thënë tutje Osmani.

Më herët në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar mundësinë që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

Ajo ka thënë se kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqpërdorime të çmimeve me libra shkollor.

Deri më tani tekstet shkollore janë blerë nga shtëpitë botuese dhe nuk ka pasur nevojë që prindërit t’i blejnë vetë ato.

Me vendimin e ri mjetet do të alokohen në llogari të prindërve dhe ata do t’i blejnë në librari.

Komento: