
Derisa vjeshta e dimri po afron edhe çmimi i lëndëve djegëse pritet të ndryshojë në treg.
Nga shtatori pritet të ketë ngritje të çmimeve, në dru e pelet.
Kështu ka thënë për Front Online, Ilir Kostanica nga kompania “Ilko Pelet”.
“Cmimi për ton shkon prej 290-300 euro. Është duke u rritur çmimi i peletit, dhe ende do të rritet. Ky çmim është deri në shtator, si të hymë në muajin shtator pritet me u ngrit”, u shpreh ai për Front Online.
Cmimi varet edhe prej kërkesave, thotë një tjetër shitës.
“Nuk e di nëse do të rritet ky çmim, peleti merret prej tregut të jashtëm, sa ka kërkesa”, u shpreh për Front Online, Petrit Ejupi nga Kompania Pelet Kosova.
Ai thotë se aktualisht çmimi i peletit për ton shkon deri në 320 euro.
“Çmimet e peletit për momentin janë 295 euro për ton. Momentalisht është prej 260-270 deri në 320 euro, varësisht prej transportit”, thotë ai për Front Online.
Shitësi i drurëve: Një metër po shitet rreth 65 euro, pa transport
Në rritje janë edhe çmimet për drurë.
Front Online ka kontaktuar disa tregtarë që merren me shitjen e drurëve.
Më së liri, në tregun e Kosovës, një metër dru ka koston 65 euro.
Këtë e ka treguar për Front Online një shitës.
“Më së liri, pa transport janë ka 65 euro metra e druve”, tha ai për Front Online.
Cmim të përafërt dha edhe një tjetër shitës.
Ai për Front Online tha se çmimi varet nga lloji i drurit.
“55 euro është metri i druve, ka edhe 60 euro”, deklaroi ai për Front Online.
Kreu i Mullisëve: Ka rënie të çmimit të grurit
Për tre muaj, ka pësuar ndryshime çmimi i grurit në tregun e Kosovës.
Kështu thotë kreu i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu
“Kemi lëvizje të çmimit të grurit brenda tre mujorit, tri herë”, tha ai për Front Online.
Zejnullahu në një prononcim për Front Online tha se aktualisht ka zbritje të çmimit të grurit.
Ai thotë se toni i grurit tani është rreth 200 euro, nga 250 sa ishte.
“Aktualisht ka rënie të çmimit, diku prej 190 deri në 210 euro është toni, varet. Çmimi para sezones 160 deri në 180 euro toni, gjatë sezonës, pas mosnënshkrimit të kontratës me Rusinë më 17 korrik, çmimi i grurit pësoi një ngritje prej 210 deri në 250 euro, kurse tani është kthyer prej 210 në 190”, tha ai.
Kryetari i Naftëtarëve: Rritja e çmimit të derivateve të naftës po ndodh për shkak të reduktimit të prodhimit
Edhe çmimet e derivate të naftës në vend janë rritur dukshëm muajin e fundit, në periudhën kur në Kosovë vijnë mërgimtarët për pushime.
Një litër dizel po shitet 1.5 euro në pikat e shitjes me pakicë në Kosovë, përderisa benzina 1.48 euro.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, rritja e çmimit të derivateve të naftës po ndodhë për shkak të reduktimit të prodhimit.
Ai në një prononcim për Front Online thotë se Kosova i ka çmimet më të lira, pas Maqedonisë Veriore.
“Pse janë çmimet në këtë kohë më të larta, ka reduktim të prodhimit. Kur kemi reduktim të prodhimit kërkesat janë të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe kemi rritje të çmimit. Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore e cila e ka akcizën më të ulët për 22 cent, ndërsa benzinën e kanë si ne”, u shpreh ai për Front Online.
Nga prilli, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për 15.4 për qind.
Edhe çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur.
Kështu thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që publikuan Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,4% në muajin Korrik 2023 krahasuar me muajin Korrik 2022”, thuhet në raportin e ASK-së.
Me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, Kosova është përballur që nga fundi i vitit 2021, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022.