Ambasada e SHBA-së: Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut në kundërshtim me kërkesat tona

10:08 | 24 Gusht 2023
ambasada-e-shba-se:-vendimi-per-ndertesen-komunale-ne-mitrovicen-e-veriut-ne-kundershtim-me-kerkesat-tona

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është prononcuar për vendimin e autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve.

Sipas tyre, ky vendim nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.

Ambasada Amerikane tha më 23 gusht se SHBA-ja e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që shton tensionet.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada Amerikane në Kosovë./FrontOnline/

Komento: