
I mitur që dyshohet se ka kryer vrasjen e para tri ditëve në Podujevë ende nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës, teksa një person është arrestuar tashmë për vrasje në bashkëkryerje. Pavarësisht se dje Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e të dyshuarit, sipas zëdhënësit të policisë, Agron Borovci ende s’ka ndonjë të re në drejtimin e identifikimit të dyshuarit, shkruan Gazeta Express.
Ai dyshohet se është një 15 vjeçar.
Valmir Breznica, 34-vjeçar mbeti i vrarë të hënën në Podujevë. Sipas dëshmitarëve, ai u privua nga jeta në sy të djalit të tij 4-vjeçar, teksa i mbeti e plagosur gruaja. Dyshimet e para janë se vrasja u krye në bashkëkryerje. Dorasi dyshohet të jetë një i mitur, teksa një person tjetër është arrestuar tashmë nga policia e Kosovës.
Arsim Syla, nga fshati Gllamnik është vënë në pranga të Policisë, teksa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.
Pas kësaj ngjarje të rëndë ka folur edhe axha i “Dhisë” Mehmet Breznica, i cili u shpreh se do t’i studiojnë të gjitha rrethanat se si erdhi deri tek kjo situatë.
Teksa mes dhembjes, ai paralajmëroi edhe hapat e mëtejmë përmes dokeve të Kanunit.
”Tek ne është edhe një Kanun. E ai do të jetë shumë i keq”, ka deklaruar Breznica, axha i viktimës nga vrasja e sotme.
”Unë nuk kam vërejt asgjë të pazakontë. Me Valmirin, dhe me babën e Valmirit dhe me shoqen time, sot në mëngjes kemi dalë deri tek shitorja atje tek rruga e asfaltuar”.
”Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka qenë e pranishme tek Valmiri. Pastaj, pas një kohe do të kishte dy orë ose tri, unë isha në studio duke lexuar dhe më thërret një djalë i vëllait dhe më lajmëron”.
”Kam qenë i befasuar, nuk kemi ditë që ka pasë diçka”. /Express/