Valdet Hoxha: Qasja e Qeverisë karshi kërkesave të Policisë është injorante

17:10 | 08 Dhjetor 2023


Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha ka thënë për Front Online se realizimi i kërkesave të Policisë është i domosdoshëm.

Ndërsa, e kritikon qasjen e Qeverisë karshi kërkesave të Njësive Speciale.

“Qasja e Qeverisë karshi kërkesave të Njësive Speciale dhe në përgjithësi ndaj punonjësve të Policisë është thjesht injorante sepse po i injoron kërkesat e arsyeshme, të domosdoshme të cilat iu takojnë në bazë të autorizimeve specifike policore të cilat i kanë ata”, është shprehur Hoxha.

Njëjtë sikurse Qalaj, edhe Hoxha ka thënë se një takim i Qeverisë me akterë të Policisë është i nevojshëm.

“Po, besoj që është i nevojshëm një takim qoftë me Sindikatën e Policisë apo edhe me përfaqësues të Njësive Speciale të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm për ta gjetë një rrugë të përbashkët se nëse nuk është i mundshëm realizimi qind për qind i kërkesave të tyre, të paktën mos mundësia buxhetore për t’i realizuar këto kërkesa do të duhej që të diskutohej dhe nga takimi të dalin të bindur njësitë speciale, e jo të injorohen dhe të luhet me deklarata politike për atë se çdo pjesëtar i Njësisë Speciale i ka pajisje mbi 10 mijë euro”, ka shtuar ndër të tjera Hoxha për Front Online.

Qeveria e Kosovës ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur më 16 nëntor.

Ekzekutivi kosovar e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.

Qeveria i kishte prezantuar më 27 tetor shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë./Front Online/

 

Komento: