
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me komunitetin malazez, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, pjesëmarrës në takim ishin dhe zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviq dhe Denis Ivic nga Këshilli Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës, së bashku me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Kryeministri ka theksuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm.
“Në këtë regjistrim, për herë të parë, çdo shtëpie i është dhënë e drejta të ketë regjistrues nga komuniteti i saj, për të mos ndjerë asnjë presion për të deklaruar ndryshe. Pjesëmarrësit kanë vlerësuar pozitivisht mundësinë për të biseduar për këto çështje dhe për të punuar së bashku përballë sfidave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
