Kadrijaj i përgjigjet Kurtit: AAK ka dhënë alternativa për kryetarin e Kuvendit, ju duhet t’i siguroni numrat

09:26 | 27 Maj 2025


Pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili akuzoi opozitën për bllokimin e Kuvendit dhe dëmin që po i shkaktohet Kosovës, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për FrontOnline i hodhi poshtë këto akuza duke i cilësuar si të pabazuara dhe joserioze.

“Deklaratat e Kurtit askush nuk i merr seriozisht. Është e qartë, është praktikë se vota për kryetar të Kuvendit duhet t’i sigurojë partia që e propozon kandidatin,” tha Kadrijaj, duke shtuar se asnjë parti që nuk ka koalicion ose marrëveshje politike nuk është e obliguar të votojë kandidatin e partisë tjetër.

Deputetja e AAK-së gjithashtu theksoi se opozita ka bërë përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik duke ofruar alternativa për kryetar të Kuvendit.

“Ne, duke provuar të kalojmë nga ky ngërç politik, si AAK kemi dhënë alternativa dhe emra që do të mund t’i votonim, për shkak të ngërçit. Këta e kanë obligim me i siguru votat për kryetar të Kuvendit,” përfundoi Kadrijaj për FrontOnline, duke ia hedhur përgjegjësinë për bllokimin partisë së Kurtit.

Komento: