
Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka ndërhyrë në punën e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.
Bislimi të enjten e 22 majit, ka ftuar në takim kryetaren e AKK-së, Naime Binaku- Isufi, nënkryetaren Kaltrina Sela, anëtaren Nafije Osdautaj si dhe drejtorin e përgjithshëm Selajdin Beqa.
Kryetarja Binaku-Isufi ka thënë në një përgjigje për “Betimin për Drejtësi”, se me zëvendëskryeministrin Bislimi kanë diskutuar për rastet që autoriteti i ka në hetim.
Sipas saj Bislimi ka kërkuar marrjen e masave ndaj kompanive që kanë shkelur Ligjin e Konkurrencës.
Tutje, kryetarja Binaku-Isufi ka thënë se me zëvendëskryeministri Bislimi kanë diskutuar edhe për hetimin që autoriteti është duke e zhvilluar ndaj kompanisë “Devolli Corporation” dhe “Kujtesa net”.
Si dhe ka shtuar se të njëjtin e ka informuar edhe për rastet e tjera të telekomunikimit të cilat i ka në tavolinë, por për të cilat nuk po mund të marrë masa në mungesë të kuorumit.
Ajo është pyetur edhe për rastin e “Devollëve” nëse u është kërkuar të marrin vendim.
“Po, po i thash unë që unë i kam 4 raste të telekomunikimeve që po më presin me marrë”, ka thënë ajo.
Gazetarja e ka pyetur nëse Bislimi specifikisht ka kërkuar për rastin e “Devollëve” me Kujtesën”.
“Popo, gjithëqysh gjithqysh rastet që i kemi d.m.th, na i kemi të gatshëm krejt janë bë hetimet janë gjet provat, neve na mungon vendimmarrja që s’kemi kuorum”.
Ajo e ka pranuar t’i ketë thënë Bislimit se nuk mund të marr vendim për “Devollët” për shkak të mungesë së kuorumit.
“Po,po”, ka pohuar kryetarja Binaku-Isufi.
Por, përfshirja e Qeverisë në rastet që janë duke u hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës, dhe rekomandimet e tyre për shqiptimin e masave është veprim i kundërligjshëm.
Hulumtuesi i lartë në IKD-, Gzim Shala, thotë se kjo qasje paraqet ndërhyrje të hapur në autoritet.
“Sipas Ligjit (neni 21) “Autoriteti është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës” derisa “Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”.
Ndërkaq, sipas Ligjit Nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, “Njësia Përgjegjëse nuk mund të japë urdhra apo udhëzime lidhur me procedurat administrative për çështje të caktuara konkrete dhe individuale në kompetencë të agjencisë rregullatorë”.
Përkundër paqartësive se cili institucion cilësohet si njësi përgjegjëse (eventualisht mund të jetë Kuvendi), Ligji thekson se as njësia përgjegjëse nuk mund të jap urdhëra apo udhëzime lidhur me procedura specifike administrative. Për këtë arsye, një qasje e tillë paraqet ndërhyrje të hapur”, ka thënë Shala.
Por, pasi i është bërë me dije kryetares së autoritetit se si institucion janë i pavarur që i përgjigjen vetëm Kuvendit të Kosovës, ka ndryshuar deklaratën duke thënë se nuk kanë raportuar.
Betimi për Drejtësi” ka tentuar të flas edhe me nënkryetaren Kaltrina Sela. Mirëpo, e njëjta me të ju prezantuar gazetarja ka ndalur telefonin.
Ndërsa anëtarja Nafije Osdautaj ka konfirmuar takimin, duke thënë se kanë folur për veprimet e kryetares dhe drejtorit.
Mirëpo, ka refuzuar të jap detaje të tjera.
Në anën tjetër drejtori i përgjithshëm Selajdin Beqa fillimisht ka mohuar se ka qenë pjesë e takimit, ndërsa është njoftuar se pjesëmarrja e tij është konfirmuar nga kryetarja e autoritetit, ka deklaruar se nuk mund ta konfirmojë.