Muhaxhiri: Lidhjet e njerëzve të afërt të Kurtit me biznesin e energjisë nuk janë më rastësi – kjo do t’i hakmerret në zgjedhje

19:26 | 30 Maj 2025

Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline ka ngritur shqetësime serioze mbi përfshirjen e figurave të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje në biznesin e energjisë, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante për kredibilitetin e qeverisjes së Albin Kurtit.

“Sigurisht të kishte qenë vetëm një rast, do të ishte dhe koicidencë, por tash janë ndërlidhur shumë akterë të VV-së me kontekstin e biznesit me rrymë, prandaj më nuk mund të konsiderohet si rastësi, por është shumë më tepër,” ka deklaruar Muhaxhiri.

Sipas tij, kjo situatë rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe premtimet e dhëna nga Kurti për një model të ri qeverisjeje.

“Për fat të keq, kjo situatë e zbeh edhe më shumë besimin e qytetarëve në funksionimin e institucioneve si të pavarura, në raport me udhëheqësit e tyre sepse e gjithë ideja me cilën Kurti ka ardhur në pushtet dhe ka fituar kaq shumë vota, ka qenë se ai do i ndërpres praktikat e së kaluarës, dhe do krijoj model të ri të qeverisjes, por një gjë e tillë nuk po ndodhë,” ka shtuar ai për FrontOnline.

Muhaxhiri paralajmëron se ky zhvillim mund të ketë pasoja elektorale për Kurtin dhe partinë e tij.

“Besoj se kjo do i hakmerret Kurtit në zgjedhjet e reja, kurdo që mbahen ato.” përfundoi ai.

Komento: