
Në Akademinë Përkujtimore në nderim të 45 civilëve shqiptarë të masakruar nga regjimi gjenocidal serb, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se Kosova i ka rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
“Sot u përkulemi me respekt të thellë; dhimbja juaj është dhimbja jonë. Shteti ynë, Republika e Kosovës, ku ne jetojmë sot të lirë, i ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve dhe dëshmorëve në luftën e UÇK-së, në sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë liridashës”, tha Kurti.
Ai shtoi se Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë
“Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhembje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje. Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal të ish-Jugosllavisë, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbeten të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik”, tha ai.
Kurti përmendi edhe aktakuzën e ngritur, e për cka tha se e afirmon se krimi ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet.
“Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autorë dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshihen në Serbi apo edhe strehohen nga shteti atje. Drejtësia ecën përherë përpara, sepse shteti i Kosovës nuk harron kurrë”, tha ai ndër tjerash.
Në zemrën e secilit shqiptar do të mbetët edhe ambasadori Ëilliam Ëalker i cili nuk heshti përball krimit.
“I nderuar ambasador Walker ju keni një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Republikës së Kosovës, dhe mbani të gjitha një vend të veçantë mbi zemrat tona. Në një periudhë kur e vërteta për Kosovën shpesh anashkalohej ose zbehet në diskursin ndërkombëtar, ju e artikuluat qartë dhe me përgjegjësi realitetin e krimeve të kryera nga Serbia. Këtë dëshmi e keni lënë trashëgimi përmes librit të kujtimeve përmbledhur “Reçak historia e një krimi lufte”, për çka ju përgëzoj dhe njëherë”, tha Kurti.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemail Aliu tha se Reçaku është një nga plagët më të rënda të historisë së shqiptarëve.
“Reçaku për çdo vit na mbledhë e na emocionin. Bënë me ndjena respekti por na bënë të përulur por edhe krenar për qëndresën e lavdishme. Një nga plagët më të renda të historisë sonë kombëtare dhe një nga dëshmitë me të forta se kemi qenë të pafajshme karshi agresorit gjenocidal nga Serbia fashiste me Millosheviqin. 15 janari 1999 është një ditë që ndan historinë në dysh”,tha ai.