
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njoftoi se dje ka marrë detyrën në krye të këtij dikasteri nga ish-U.D. i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Gërvalla tha se është “e vetëdijshme për rolin vendimtar që ky dikaster, si strukturë kyçe e shtetit, luan në konsolidimin e tij dhe përkushtimin e palëkundur për të krijuar institucione të forta, ligj të zbatueshëm dhe drejtësi të barabartë për të gjithë”.
“Drejtësia është gurthemeli i Republikës sonë. Reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim. Kjo është beteja jonë për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve”.
Gërvalla tha se do të udhëheqë me parimin “askush nuk guxon të jetë mbi ligjin” dhe se ky do të jetë kauza dhe “garancia se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë edhe më e fortë, edhe më e drejtë dhe edhe më krenare për secilin qytetar të Kosovës”.
“Na priftë e mbara!”.