
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka treguar se cilat do të jenë hapat nëse nuk vendoset masë e parakohshme nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me kërkesën e tyre që dërguan në Kushtuese menjëherë pasi dështuan ta zgjedhin presidentin, por tregoi sesi opozita po kënaqet me sipas tij mossuksesin e Vetëvendosjes.
Kurti tha se opozita do të duhej të provonte me një kandidat të tyrin pasi edhe ashtu votimi ishte i fshehtë.
“Unë besoj që do të duhej të ishte interes i subjekteve politike që kur të besojnë që kanë kandidat më të mirë, e zgjedhja është me vota të fshehta, të propozojnë dikë të profilit të lartë dhe të provojnë. Të marrin simpati edhe në popull e sidomos në mesin e deputetëve të tjerë. Ka pasur mundësi të zhvillohet garë disa javëshe edhe në opinion publik dhe në parlament me një figurë të spikatur. Por kjo nuk u bë”, tha ai.
Por Kurti tha se opozita i gëzohej mossukseseve të VV-së.
“Për bindjen time kjo nuk u bë për shkak se, fatkeqësisht, viti 2025 ka përfunduar sa i përket sjelljes së partive opozitare, por jo sa u përket qëndrimeve. Sjelljen nuk e kanë si në vitin 2025, por qëndrimet i kanë si në vitin 2025. Ju e dini që në vitin 2025 partitë opozitare nuk gjenin gëzim te sukseset e tyre, por gjenin kënaqësi veçse te mossukseset tona. E vetmja mënyrë për t’u kënaqur ju ka ngelur nëse nuk ka sukses Vetëvendosje. Nuk janë duke provuar me sukseset e tyre, por janë duke shikuar se si mund të ketë dështime tona. Kjo tregon për një esencë negative në politikë, që për bindjen time përbëhet shumë më shumë nga mllefi, inati, një lloj ithësie, sesa nga idetë, puna apo pasioni. Do të ishte interes i partive politike që të thotë: edhe unë e kam një kandidat. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ta zëmë, presidenti Ibrahim Rugova ka pasur kundërkandidat Reme Bujën. Unë nuk besoj që ka qenë formal”, theksoi ai.