
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar kontributin e grave kineaste nga Kosova, duke theksuar rolin e tyre në promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare të kinematografisë.
Kurti u shpreh se krijimtaria e kineasteve kosovare shkon përtej profesionit që ato ushtrojnë, duke e konsideruar atë një formë përfaqësimi të kulturës dhe identitetit të vendit. Sipas tij, sukseset e shumta të artisteve të filmit po e bëjnë gjithnjë e më të njohur Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Krijimi i secilës prej tyre është më shumë se vetë profesioni që bartin. Me sukseset e shumta çdo ditë e më shumë po e ngritin lart shtetin tonë”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se falë angazhimit dhe talentit të grave në këtë fushë, kinemaja kosovare po afrohet gjithnjë e më shumë me publikun ndërkombëtar.
“Me gratë e Kosovës, kinemaja jonë është përherë e më afër me botën mbarë. Ato krijojnë që të tregojnë, ato punojnë që të frymëzojnë”, theksoi kryeministri.