
Këtë javë, skadon afati 30-ditor që Universiteti i Prishtinës i dha Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicë të Veriut për t’u larguar nga hapësirat që shfrytëzon – në të kundërtën, duhet të fillojë me pagesat e qirasë.
Fakulteti i Shkencave Teknike në Mitrovicë të Veriut funksionon në kuadër të universitetit që vepron brenda sistemit të Serbisë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar”, është bërë duke u bazuar në ligjet dhe procedurat në fuqi të Kosovës.
“Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar që t’i shfrytëzojë të gjitha ndërtesat dhe hapësirat e tij, për të cilat ka nevojë të madhe, pa vonesa të mëtejshme”, tha Hajrullahu.
Në përgjigjen me shkrim për REL-in, ai dërgoi edhe një kërkesë zyrtare, në të cilën thuhet se Fakulteti i Shkencave Teknike në Mitrovicë të Veriut është duke shfrytëzuar pronën pa ndonjë kontratë të formalizuar me Universitetin e Prishtinës, ndërsa ky i fundit është duke i ofruar ta lirojë vullnetarisht pronën, ose ta rregullojë marrëdhënien ligjore për përdorim.