Në Mitrovicën e Veriut lansohet programi për monitorimin e Policisë i titulluar, “Llogaridhënia në veprim”

12:00 | 10 Mars 2026
ne-mitrovicen-e-veriut-lansohet-programi-per-monitorimin-e-policise-i-titulluar,-“llogaridhenia-ne-veprim”

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), në bashkëpunim me Interneës Kosova dhe Qendrën Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC), ka lansuar programin për monitorimin e Policisë me titull “Llogaridhënia në veprim”, një iniciativë që synon rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe qytetarëve.

Në ngjarjen e lansimit, përfaqësues të organizatave, institucioneve vendore dhe përfaqësive diplomatike theksuan rëndësinë e mbikëqyrjes së punës së policisë dhe dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin, si elemente kyçe për sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Aleksandar Rapajic, menaxher projekti në ACDC, tha se pas largimit të përfaqësuesve serbë nga policia dhe gjyqësori, situata ka kaluar nëpër një periudhë përkeqësimi dhe zhvillimi të ngadalshëm.

“Pas largimit të përfaqësuesve serbë nga policia, dhe një largimi edhe nga gjyqësori, që nga ajo kohë e deri më tani kemi një periudhë, të themi, përkeqësimi të situatës, por edhe një periudhë që po ecën shumë, shumë ngadalë. Ne që nga fillimi kemi vendosur se nuk është e jona të zgjedhim kush do të jetë në institucione, por është obligimi ynë të bashkëpunojmë me institucionet pavarësisht se kush ulet në to. Edhe pas këtyre ndryshimeve kemi pasur bashkëpunim me policinë, mund të them relativisht, në shumicën e rasteve, të mirë”, tha ai.

Ai shtoi se organizata ka punuar për të lidhur qytetarët me policinë përmes takimeve të drejtpërdrejta dhe ndërmjetësimit me institucione të tjera të drejtësisë.

“Kemi punuar që të lidhim qytetarët me policinë. Kemi organizuar takime mes qytetarëve dhe policisë ku ata kanë mundur të shprehin problemet e tyre. Pastaj takime të qytetarëve me Inspektoratin Policor, ku njerëzit që kishin probleme me policinë kanë mundur ta vazhdojnë atë procedurë me inspektoratin. Gjithashtu kemi organizuar takime të qytetarëve me institucionet e drejtësisë dhe një qendër e tillë që do të merrej me mbikëqyrjen e punës së policisë është një hap logjik në vazhdim të atyre aktiviteteve dhe shpresojmë që do të marrë jetë me kohë, që do të bëhet vërtet një vend ku do të mund të zgjidhen problemet. Përveç monitorimit të punës së policisë që do ta bëjmë në veri të Kosovës, në këtë qendër planifikojmë të organizojmë ngjarje të këtij lloji ku do të prezantojmë rezultatet, si dhe ngjarje ku do të bashkojmë policinë dhe përfaqësues jo vetëm të policisë, por edhe të institucioneve të tjera me qytetarët në një bisedë të hapur që nuk do të jetë për gazetarë, nuk do të jetë për media, por do të jetë e dedikuar për zgjidhjen e problemeve”, tha ai.

Drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosova, Jeta Xharra, tha se Policia e Kosovës është e vetmja në rajon që u jep mundësi mediave të jenë të pranishme në aksionet e saj.

Ajo shtoi se projekti do të ndihmojë bashkëpunimin ndërmjet mediave dhe gazetarëve për këto çështje.

“Për shkak se është polici e trajnueme në mënyrën perëndimor. Jo polici e trashëguar prej ish-Jugosllavisë e cila e përjeton policin si diçka që nuk osht për komunitet por osht për dorë t’shtetit me shtyp. E n’fakt mënyrën qysh osht trajnu Policia e Kosovës osht që duhet me qenë me ofru siguri për qat komunitet edhe për këtë kur u ndertu Policia e Kosovës osht trajnu”, tha ajo.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, theksoi se llogaridhënia dhe përfshirja janë thelbësore për konsolidimin e paqes dhe sundimin e ligjit.

“Llogaridhënia dhe përfshirja brenda kornizës së sigurisë publike të Kosovës janë thelbësore. Konsolidimi i paqes në një mjedis konflikti nuk varet vetëm nga stabiliteti institucional, por edhe nga besimi i publikut. Besimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit është themelor për qeverisjen demokratike dhe për sundimin e ligjit. Kur komunitetet ndihen të dëgjuara, të respektuara dhe të përfaqësuara, institucionet forcohen dhe shoqëritë bëhen më të qëndrueshme. Kjo iniciativë e organizatave tona partnere, demonstron një qasje largpamëse, e cila e njeh transparencën si themel të besueshmërisë institucionale dhe llogaridhënien si gur themeli të shërbimeve publike. Duke lehtësuar dialogun, bashkëpunimin dhe përfshirjen e komunitetit, ajo forcon bazën e qeverisjes së përgjegjshme”, tha ai.

Ai shtoi se mbikëqyrja profesionale dhe gjithëpërfshirëse përmirëson performancën institucionale dhe besimin e publikut.

“Mbikëqyrja gjithëpërfshirëse, profesionale dhe e informuar përmirëson performancën institucionale dhe besimin e publikut. Një qasje e përqendruar te komuniteti dhe shumëetnike përforcon idenë se siguria publike është përgjegjësi e përbashkët dhe se diversiteti mund të nxisë unitet. Zvicra mbështet iniciativa të nxitura në nivel lokal që promovojnë vlera demokratike dhe integritet institucional. Megjithatë, suksesi i këtyre përpjekjeve varet nga përkushtimi, profesionalizmi dhe bashkëpunimi i të gjithë akterëve. Kjo iniciativë synon të dëshmojë se si transparenca, llogaridhënia më e fortë dhe dialogu i hapur mund të ndihmojnë në tejkalimin e ndarjeve dhe në forcimin e institucioneve që u shërbejnë të gjithë qytetarëve në mënyrë të drejtë”, tha ai.

Zëvendësshefi i Misionit në Ambasada e Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, tha se ndërtimi i besimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve është më i rëndësishëm se kurrë.

“Ndërtimi i besimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve është më i rëndësishëm se kurrë. Siguria dhe stabiliteti nuk varen vetëm nga puna e institucioneve, por edhe nga besimi që qytetarët vendosin tek ato. Ambasada e Mbretërisë së Holandës është krenare që mbështet këtë projekt, i cili synon të forcojë bashkëpunimin, të rrisë transparencën dhe besimin ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komuniteteve që ajo u shërben. Përmes kësaj kornize dhe përmes Zyrës që po e lansojmë sot, organizatat e shoqërisë civile do të vëzhgojnë aspekte të punës së policisë dhe do t’i ndajnë gjetjet e tyre me menaxhmentin e Policia e Kosovës përmes rekomandimeve konstruktive, duke informuar njëkohësisht publikun përmes raportimeve periodike”, tha ai.

“Në thelb, kjo iniciativë ka të bëjë me forcimin e marrëdhënies ndërmjet institucioneve dhe komunitetit që ato i shërbejnë. Besimi nuk ndërtohet vetëm përmes fjalëve, por përmes hapjes, transparencës dhe ndërveprimit të përditshëm. Është shumë e rëndësishme të theksohet se kur institucionet e hapin punën e tyre për dialog dhe vëzhgim publik, ato demonstrojnë besim në profesionalizmin e tyre dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike”, tha ai.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha se bashkëpunimi me mediat ka qenë i mirë dhe se përfshirja e organizatave joqeveritare paraqet vlerë të shtuar për institucionin.

“Ne kemi pasë bashkëpunim shumë të mirë me mediat. Të cilat i falënderojmë shumë sepse ata kanë qenë dritare e jona për tek qytetarët në këtë vend. Kemi kalu na nëpër shumë sfida, kemi kalu na nëpër shumë veprime të ndryshme që ne i kemi bë në këtë vend. Edhe ne konsiderojmë që shtimi i një partneri shumë të rëndësishëm këtu si OJQ-të që jeni ju edhe si media në fakt, për neve është një vlerë e shtuar për neve”, tha ai.

“Do të mundohemi me e zbatu sa më mirë, në fakt ne veç dje e kemi nisë njëfarë pune me Kreshnikun edhe me OJQ-në, ku në patrullimet e përbashkëta, në patrullimet tona që na i kemi bë, kemi pasë afër neve edhe përfaqësues të juj. E kemi thy akullin kështu me e qujtë pak, po me siguri që kemi me pasë ditë interesante në kohën që do të vijnë në të ardhmen. Ju e keni një partner këtu përballë, ju jeni partnerë tonë edhe ne jemi partnerë të juj. Edhe nëpërmjet juve me siguri që do ta kuptojnë edhe qytetarët se puna e policisë nuk është në fakt edhe shumë e lehtë”, tha ai.

Komento: