
Situata në Ngushticën e Hormuzit po përshkallëzohet rrezikshëm, pasi shërbimet amerikane të inteligjencës kanë identifikuar lëvizje që tregojnë për një mundësi të vendosjes së minave detare nga Irani, ndërkohë që zyrtarë iranianë paralajmërojnë se çdo anije amerikane apo e aleatëve të SHBA-së që tenton të kalojë do të bëhet “objekt i lëvizshëm”.
Sipas dy burimeve që kanë njohuri për raportet e inteligjencës amerikane, të cituara nga CNN dhe CBS News, Irani ka nisur të vendosë mina në këtë rrugë detare kritike, nga e cila kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës. Aktualisht, vendosja e minave duket e kufizuar, me disa dhjetëra mina të vendosura gjatë ditëve të fundit.
Megjithatë, Irani mban kapacitete të mëdha për të përshkallëzuar operacionin. Një burim tha se Forcat Iraniane kanë ende rreth 80–90% të anijeve të vogla dhe mjeteve të tjera të vendosjes së minave, që do të thotë se mund të vendosin qindra mina në çdo moment.
Forcat e Gardës Revolucionare, që kontrollojnë Ngushticën së bashku me marinën tradicionale iraniane, mund të ndërtojnë një rrjet të gjerë sulmesh duke përdorur anije të shpërndara për vendosjen e minave të mbushura me eksploziv dhe bateri raketore në breg. Sipas raportimeve, minat iraniane janë prodhim iranian, kinez dhe rus, me një stok të mundshëm prej 2.000 deri 6.000 njësi, sipas CBS.
Që nga fillimi i tensioneve, Ngushtica konsiderohet praktikisht e mbyllur për lundrim, ndërsa burime për CNN e përshkruajnë zonën si “lugina e vdekjes” për çdo anije që përpiqet ta kalojë.
Në një postim të fundit në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump tha se deri tani nuk ka asnjë raport të konfirmuar që Irani ka vendosur mina. “Nëse Irani ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit – ne nuk kemi asnjë raport që kjo është bërë – duam që ato të hiqen menjëherë,” shkroi ai.