
Më 24 dhe 25 mars 2026, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, së bashku me organizata të tjera, do të zhvillojnë një mision dyditor faktmbledhës në Prishtinë, Kosovë.
Siç bën të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes në njoftimi, qëllimi i misionit është të vlerësojë sfidat ndaj lirisë së medias në vend dhe të diskutojë zgjidhjet e mundshme me akterët e medias dhe me autoritetet.
“Gjatë misionit, delegacioni do të trajtojë çështje si: presioni politik ndaj mediave; siguria e gazetarëve; kushtet e punës së gazetarëve; legjislacioni, përfshirë ligjin për media dhe amendamentet e propozuara; transmetuesi publik (RTK) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM); qasja e gazetarëve në informata publike; kërcënimet ligjore, përfshirë paditë abuzive (SLAPP) dhe propozimet për rikriminalizimin e shpifjes; si dhe transpozimi dhe zbatimi i Direktivës Evropiane kundër SLAPP, Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).
“Kryeministri Albin Kurti tashmë ka konfirmuar takimin me delegacionin. Delegacioni do të takohet gjithashtu me redaktorë dhe gazetarë, anëtarë të komisionit parlamentar për media, autoritete gjyqësore, përfaqësues të policisë, organe rregullatore dhe përfaqësues të Transmetuesit Publik (RTK). Pas përfundimit të misionit dyditor, partnerët do të paraqesin gjetjet e tyre fillestare në një konferencë për media në Prishtinë më 25 mars 2026 dhe më pas do të publikojnë një raport për lirinë e medias, së bashku me një sërë rekomandimesh”, theksohet në njoftimin e AGK-së.