Ramiz Lladrovci: 11 Marsi 1981 shënoi fillimin e fundit të regjimit jugosllav

17:50 | 11 Mars 2026
ramiz-lladrovci:-11-marsi-1981-shenoi-fillimin-e-fundit-te-regjimit-jugosllav

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka kujtuar përvjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke theksuar se ato shënuan një kthesë historike në rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

Lladrovci përmes një postimi ka thënë se më 11 mars 1981 filloi një rilindje e re atdhetare që, sipas tij, do të përfundonte me çlirimin e vendit në vitin 1999.

Më 11 Mars 1981, rilindja atdhetare do të marr hov që do të përfundonte me çlirimin e vendit më 1999. Ato ditë, do të ishin vendimtare për popullin tonë, kërkesat për republikë nga studentët u përkrahën nga të gjithë atdhetarët që jetonin në ish shtetin jugosllav. Kjo kërkesë u shua me gjak”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se pas demonstratave të 11 marsit, terrori shtetëror i regjimit jugosllav vetëm sa e forcoi unitetin e shqiptarëve rreth kauzës për liri.

“Terrori shtetëror i asaj krijese artificiale pas 11 marsit 1981, bëri që shqiptarët të bashkohen më shumë se kurrë rreth kauzës për çlirim. Demonstratat e vitit 1981, vijuan me gjithëpërfshirje duke u bërë edhe pikë referente për popujt e shtypur të bllokut socialist”, ka theksuar Lladrovci.

Sipas tij, këto demonstrata u pasuan nga rezistenca paqësore dhe më pas nga lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këto demonstrata, pas disa vitesh, do të fuqizoheshin me rezistencën paqësore, për të vazhduar me aksionet e para të armatosura kundër okupatorit deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 11 Marsi shënon fillimin e fundit të regjimit jugosllav, është kufiri i territ me agun e lirisë”, ka shkruar ai.

Në fund, Lladrovci ka nderuar dëshmorët dhe martirët e kombit.

“Lavdi bijave e bijve më të devotshëm të kombit që ranë në barrikada! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, thuhet tutje në postim.

Komento: