
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu në Politiko tha se situata e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit nuk ka qenë e papritur, pasi që Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë numrin e votave të nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit, shkruan Gazeta 10.
Sallahu tha se aktualisht partia e tij ka 66 vota, ndërsa sipas Kushtetutës nevojiten 80 vota për zgjedhjen e presidentit në raundet e para.
“Ne i kemi 66 numra për momentin dhe e kemi pasur të pamundur të arrijmë 80 numra, siç e përcakton Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Sallahu në Politiko.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar bashkëpunim me partitë opozitare.
“Si parti, si Vetëvendosje, kemi bërë përpjekje të shumta me partitë opozitare për t’u konsultuar, komunikuar, bashkërenduar dhe koordinuar, mirëpo deri më sot nuk kemi gjetur ndonjë bashkëpunim për të arritur kuorumin e nevojshëm kushtetues për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ai.
Deputeti theksoi se pas pamundësisë për zgjedhjen e presidentit, partia e tij e ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese për dy çështje kryesore. Sipas Sallahut, arsyeja e parë lidhet me faktin se disa deputetë nuk kanë qëndruar në sallë gjatë procesit, siç e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa arsyeja e dytë, ka të bëjë me një dekret të nxjerrë nga presidentja, të cilin ai e cilësoi si shkelje të hapur të Kushtetutës.
“Presidentja të nesërmen ka nxjerrë një dekret, i cili i shkel haptazi dhe qartazi dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shtoi tutje Sallahu./Gazeta 10
Deklarata e plotë: