Kusari-Lila shprehet në Facebook pasi Supremja ia refuzoi ankesën për fonde nga KQZ: Po cenohet pluralizmi

16:35 | 13 Mars 2026
kusari-lila-shprehet-ne-facebook-pasi-supremja-ia-refuzoi-ankesen-per-fonde-nga-kqz:-po-cenohet-pluralizmi

Subjekti politik, Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila tha se është e shqetësuar me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila hodhi poshtë ankesën e kësaj partie kundrejt vendimit të PZAP-së.

Kjo parti, sipas vendimit të KQZ-së, s’u përfshi në caktimin e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike. Për këtë ajo u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e më pas edhe në Gjykatë Supreme, të cilat ia hodhën poshtë ankesën.

“Edhe PZAP dhe Gjykata Supreme kanë refuzuar të trajtojnë përmbajtjen e vendimit, duke i mohuar subjektit tonë të drejtën për shqyrtim efektiv juridik dhe duke cenuar parimet e barazisë dhe ligjshmërisë. Vendimi i KQZ-së për të mos përfshirë Alternativën në ndarjen e fondeve bie ndesh me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe njëkohësisht rrezikon funksionimin normal të subjektit tonë politik, duke cenuar edhe parimin e pluralizmit politik”.

Alternativa tha se si partnere zyrtare në koalicion me subjektet politike Lëvizja VETËVENDOSJE, Lista Guxo dhe PSHDK, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 ka fituar një ulëse në Kuvendin e Republikës, rezultat i cili është certifikuar nga KQZ.

“Arsyetimi se deputetja e zgjedhur e Alternativës është emëruar ministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye subjekti ynë nuk konsiderohet parti parlamentare është në kundërshtim me ligjin, pasi mandati rrjedh nga rezultati i certifikuar zgjedhor dhe i jep Alternativës statusin e subjektit politik me përfaqësim në Kuvend”.

Alternativa tha se një praktikë e tillë “nuk është aplikuar më parë nga KQZ-ja dhe përbën precedent të rrezikshëm, pasi ndarja e fondeve po bëhet jo sipas rezultatit të certifikuar zgjedhor, por në bazë të përfaqësimit pas votimit të Qeverisë”.

“Mohimi i financimit publik në kundërshtim me rezultatin zgjedhor cenon barazinë ndërmjet subjekteve politike dhe rrezikon funksionimin e rregullt të partisë sonë në jetën demokratike të vendit. Alternativa mbetet e përkushtuar që për këtë çështje të kërkojë mbrojtje juridike përmes të gjitha mjeteve të parapara me ligj”.

Komento: