Haradinaj thirrje për unitet: Ta çojmë Kosovën drejt normalitetit dhe zhvillimit

19:15 | 13 Mars 2026
haradinaj-thirrje-per-unitet:-ta-cojme-kosoven-drejt-normalitetit-dhe-zhvillimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën aktuale në vend, duke vlerësuar se Kosova ndodhet në një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë, si pasojë e ngërçit institucional.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ai thekson se vendi po përballet me një situatë të pazakontë politike.

“Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional”, ka deklaruar Haradinaj, raporton Klankosova.tv.

Sipas tij, kjo gjendje është krijuar për shkak se ata që do të duhej të gjenin zgjidhje për situatën nuk e kanë kaluar veten e tyre, por janë mjaftuar me interesa personale dhe partiake.

“Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të Shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake”, ka thënë ai.

Haradinaj thekson se vendi dhe shoqëria ndodhen në momentet e fundit për t’iu kthyer normalitetit dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

“Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit. Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët”, ka theksuar ai.

Ai kujton se Kosova gjithmonë ka pasur njerëz që janë pozicionuar drejt në momentet e vështira dhe që kanë ditur të ndërtojnë shtetin dhe institucionet e tij.

“Të gjitha këto janë themel i fortë që të shohim veç përpara dhe të mos kërkojmë fajtorë, por ta kalojmë veten tonë e të lidhemi drejt të mirës së përbashkët”, është shprehur Haradinaj.

Duke folur për sfidat që mbeten, ai thekson se shumë çështje ende nuk janë përmbushur.

“Unë dhe Aleanca jemi më të vetëdijshëm se kurrë se plot disa punë kanë mbetur pa u kryer: Që zgjedhjet të prodhojnë institucione dhe bllokadat të kalojnë në histori; Që njerëzit e këtij vendi të jetojnë dinjitetshëm me pagat, pensionet dhe ndihmat që u jep Shteti dhe të mos kërkojnë strehë nëpër botë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Haradinaj u bën thirrje të gjithëve që ta tejkalojnë situatën aktuale dhe të punojnë së bashku për të ardhmen e vendit.

“Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së”, ka përfunduar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Komento: