Arrestohen 3 persona në Podujevë, goditën me traktor veturën e policisë ku u lënduan katër policë

09:10 | 15 Mars 2026
arrestohen-3-persona-ne-podujeve,-goditen-me-traktor-veturen-e-policise-ku-u-lenduan-kater-police

Tre persona janë arrestuar të shtunën pasdite në fshatin Pollatë të Podujevës, nën dyshimin për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, kur të dyshuarit, njëri duke drejtuar traktor të ngarkuar me dru të prera ilegalisht dhe tjetri me automjet, dyshohet se kanë goditur automjetin zyrtar të policisë.

Si pasojë e incidentit, lëndime trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor.  Të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar nga organet e rendit. Me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.

Komento: