Pasi çoi vajzën në shkollë, shqiptarja në Itali goditet për vdekje nga një veturë

10:25 | 15 Mars 2026
pasi-coi-vajzen-ne-shkolle,-shqiptarja-ne-itali-goditet-per-vdekje-nga-nje-veture

Një grua shqiptare ka vdekur në Itali. Ajo ishte goditur nga një veturë e tipit FIAT 500, e cila drejtohej po ashtu nga një grua pasi e kishte çuar vajzën e saj në shkollë.

Ngjarja tragjike ku humbi jetën 32 vjeçarja Xhulijana Guna, mori vëmendjen e mediave italiane. Rasti i rëndë raportohet se ka ndodhur të premten rreth orës 09:00 përgjatë autostradës shtetërore 18, menjëherë pas kthesës në Santa Cecilia.

“Një rrugë që vazhdon të marrë viktima”, thanë disa banorë vendas, të tronditur nga incidenti.

Karabinierët dhe policia e trafikut dolën në vendngjarje për të kryer hetime, së bashku me paramedikët, të cilët mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e gruas. Rruga u mbyll për një kohë të gjatë për të lejuar operacionet e shpëtimit dhe hetimet. Burri i viktimës, i cili mbërriti në vendngjarje pak më vonë, ishte në gjendje shoku, shkruajnë mediat atje.

Rrethanat e këtij aksidenti mbeten të paqarta. Gruaja që drejtonte Fiat 500-shin, pretendoi se kishte humbur kontrollin e makinës për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, duke dalë nga rruga dhe duke goditur Xhulijanën. Rruga tregon shenja të qarta të frenimit të gjerë. Rrëfimet e dëshmitarëve dhe imazhet nga kamerat e mbikëqyrjes do të ndihmojnë hetuesit të rindërtojnë ngjarjen.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi kur drejtuesja e automjetit, një 37-vjeçare italiane, humbi kontrollin e makinës dhe përplasja e rëndë i mori jetën e Xhulijanës. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë ende./Klankosova

Komento: