​Protestojnë punëtorët e “Prishtina Parking”, paralajmërohet grevë

15:15 | 16 Mars 2026
​protestojne-punetoret-e-“prishtina-parking”,-paralajmerohet-greve

Tash e tre vite, sindikatës së ndërmarrjes “Prishtina Parking” nuk po u plotësohen kërkesat e tyre për rritje page dhe shujta.

Në një protestë të sindikatës, ata shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje për mos plotësim të kushteve. Një shqetësim tjetër i tyre ishte edhe sigurimi shëndetësor, për të cilin po ndahen paratë nga paga dhe nuk po paguhet.

Kryetari i Sindikatës së ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari tha se si përgjigje nga ana e tyre është se ndërmarrja është në krizë financiare.

“Kërkesat janë e shujtës, obligimeve të sindikatës, një gjysmë page që na ka mbet, po ashtu presim nga ta të ndërmarrin, përndryshe vazhdojmë me protestë, nëse nuk arrijmë diçka do vazhdojmë edhe me grevë. Që tre vite i kemi këto kërkesa. Përgjigja për momentin ndërmarrja është në krizë edhe ne jemi në krizë, me një page 500 euro për momentin jemi shumë keq”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i kryesisë se sindikatës, Safet Zuka tha se pas protestës një orëshe do të vazhdojnë përsëri punën.

“Kemi vendos me mbajt protestën një orësh dhe do vazhdojmë të jemi pranë rezidentëve tonë qytetarëve, do vazhdojmë me punë, kjo është vetëm një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë”, shtoi Zuka.

E sekretari i sindikatës, Drilon Dugolli shprehi shqetësimin për sigurimet shëndetësore.

Dugolli bëri të ditur se kanë kërkuar edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për një takim porse nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Kemi probleme edhe te sigurimi shëndetësorë të cilin nuk e kanë paguar që 9 muaj. Ndalen mjetet porse sigurimi nuk paguhet.. Rritjen e pagës e kemi kërku, që është e domosdoshme.. Kryetarit Rama i kemi dërguar një email me shqetësime tona dhe ndaj ndërmarrjes, thirrje nuk kemi pasur, presim të na ftoj që të negociojmë dhe të gjejmë një zgjidhje pozitive”, tha ai.

Ata paralajmëruan edhe një protestë dhe nëse nuk ftohen në takim thanë se do të hynë në grevë. /KP/

Komento: