
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka bërë thirrje për zyrtarët publikë që ende nuk kanë kryer deklarimin e pasurisë për vitin 2025, duke rikujtuar se afati përfundon më 31 mars 2026.
Procesi i deklarimit vjetor ka filluar më 1 mars 2026 dhe deri më tani janë deklaruar 1920 zyrtarë, ose rreth 18.5% e subjekteve deklaruese.
Numri total i zyrtarëve që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor është 10,340, që do të thotë se 8,420 subjekte ende duhet ta përmbushin detyrimin.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, theksoi rëndësinë e respektimit të afatit.
“Deklarimi në kohë i pasurisë forcon kulturën e integritetit në institucionet tona dhe njëkohësisht kontribuon në shmangien e pasojave dhe sanksioneve të parapara në rast të mosrespektimit të obligimit ligjor”, tha ai.
APK njofton se mosdeklarimi, vonesa ose deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të sanksionohen me: Gjoba deri në 500 euro, paraqitje të kallëzimit penal dhe referim të çështjes në organet e drejtësisë, dënim me burg deri në 5 vjet, konfiskim të pasurisë së padeklaruar, sipas ligjit.