Vendimi që e çon në gjyq Rozeta Hajdarin, ky është arsyetimi për konfirmimin e aktakuzës për rezervat

12:45 | 17 Mars 2026
vendimi-qe-e-con-ne-gjyq-rozeta-hajdarin,-ky-eshte-arsyetimi-per-konfirmimin-e-aktakuzes-per-rezervat

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur ndaj ish-ministres së Qeverisë Kurti, Rozeta Hajdari dhe dy zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Tregtisë, në rastin e skandalit të rezervave shtetërore.

Në aktvendimin e nxjerrë nga Themelorja, janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve së të pandehurve për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës. Mbrojtësit e të akuzuarve ishin ankuar në ligjshmërinë dhe mungesën e provave nga Prokuroria Speciale, mirëpo këto pretendime janë hedhur poshtë nga gjykata. Sipas aktvendimit që mban datën 13 mars, pretendimet janë të pabazuara.

“Gjykata vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që do të arsyetonin hedhjen poshtë të aktakuzës në raport me të pandehurit e lartpërmednur, pasi që aktakuza mbështet në prova të mjaftueshme dhe se tani për tani të njëjtat paraqesin kuantum të mjatueshëm për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë lidhur me veprimet inkriminuese të përshkruara si në aktakuzë dhe se e gjithë kjo duke u mbështetur në provat e bashkangjitura në aktakuzë”, thuhet në vendim.

“Nga përmbajtja e aktakuzës rezulton se prokuroria ka bërë individualizimin e veprimeve të secilit të pandehur duke përshkruar në mënyrë të detajuar veprimet inkriminuese që u atribuohen atyre”, vazhdon tutje arsyetimi.

Si të pabazuara Gjykata i ka vlerësuar edhe pretendimet e mbrojtjes në lidhje me dokumentet e klasifikuara si sekret shtetëror. Mbrojtësit e të pandehurve kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës me pretendimin se është shkelur mbrojtja e informacionit të klasifikuar, mirëpo edhe këto pretendime janë vlerësuar si të pabazuara nga Gjykata.

Sipas arsyetimit, objekt shqyrtimi në këtë rast është aktakuza e Prokurorisë Speciale, rrjedhimisht veprat penale të cilat pretendohet se janë kryer nga ministrja Rozeta Hajdari e zyrtarët tjerë të ministrisë. Kryetari i trupit gjykues ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nuk lidhen me objektin e akuzës. Andaj, të njëjtat i ka refuzuar si të pabazuara.

“Sa i përket përgjigjes së Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, të cilës iu referohen mbrojtësit e të pandehurve, Gjykata vlerëson se Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar ka rol mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës. Në rastin konkret kemi objekt shqyrtimi aktakuzën e Prokurorisë në raport me veprat penale si në aktakuzë… Referenca e mbrojtësve lidhur me statusin e dokumentacionit siç pretendohet nga mbrojtja si i klasifikuar, nuk lidhet me objektin e aktakuzës përkatësisht veprën penale për të cilën akuzohen të pandehurit”, thuhet në aktvendimin e Themelores në Prishtinë, raporton Paparaci.

Në shqyrtimin fillestar, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muahrremi ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat e Speciales.

Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje

Komento: