Dyshime për kequshqyerje, fëmija 5 vjeçar nga Lipjani dërgohet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikologjike në QKUK

13:25 | 17 Mars 2026
dyshime-per-kequshqyerje,-femija-5-vjecar-nga-lipjani-dergohet-ne-gjendje-te-renduar-shendetesore-dhe-psikologjike-ne-qkuk

Një fëmijë pesë vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore të QKUK-së, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze.

Lajmin e ka bërë të ditur, Mirlinda Qyqalla nga zyra për media e QKUK-së. Sipas saj, në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim.

“Bazuar në të dhënat nga Klinika e Pediatrisë në QKUK, ju informojmë se një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, ka thënë Qyqalla.

Tutje ajo tha se menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.

“Duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve. Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin”.

Gjithashtu Qyqalla theksoi se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale.

“Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se një i mitur është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë për shkak të gjendjes jo të mirë. Rasti ka ndodhur në Lipjan, ndërsa janë arrestuar prindërit e tij për shkak të shkeljes së detyrimeve familjare.

“Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Komento: