
Në mes të publikimeve për blerjen e raketave balistike supersonike kineze, Serbia ka ftuar NATO-n për një stërvitje të përbashkët.
Stërvitja ushtarake e paralajmëruar për maj në jug të Serbisë do të jetë stërvitja e parë e përbashkët që nga viti 2018, kur u mbajt një ushtrim në terren për menaxhimin e pasojave të katastrofave.
Po ashtu, kjo është stërvitja e parë me NATO-n që nga vendosja e moratoriumit për stërvitje ushtarake me të gjithë partnerët, të cilin Beogradi e vendosi në fillim të agresionit rus në Ukrainë.
Nga NATO thonë për Radion Evropa e Lirë se stërvitja e paralajmëruar në maj me Serbinë është një trajnim i rëndësishëm.
“Ajo do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, i cili mbetet një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n”, ka deklaruar një zyrtar i Aleancës për REL.
Sipas tij, stërvitja do të zhvillohet duke respektuar plotësisht politikën e shpallur zyrtarisht të neutralitetit ushtarak të Serbisë.
“Planifikimi është në vazhdim dhe detajet e stërvitjes po finalizohen në koordinim me autoritetet serbe”, thuhet më tej në përgjigje.
Kurt Basener nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit me seli në Berlin vlerëson për REL se stërvitja me NATO-n nuk përbën një ndryshim strategjik në politikën e Serbisë.
“As një përafrim të plotë të Serbisë me Perëndimin”, shtoi ai.
Autoritetet e Serbisë këmbëngulin në neutralitetin ushtarak, ndërkohë që vendi është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Megjithatë, Serbia bashkëpunon me NATO-n përmes Partneritetit për Paqe, pjesë e të cilit janë trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta.
Serbia iu bashkua Partneritetit për Paqe në vitin 2006, i cili përfaqëson bashkëpunim dypalësh midis vendeve anëtare dhe shteteve partnere individuale.
Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë vlerëson se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk ka ndërmend ta afrojë Serbinë me NATO-n dhe se po balancon midis Rusisë, Kinës dhe Perëndimit.
Ndërkohë, Serbia vitet e fundit ka forcuar bashkëpunimin ushtarak me Kinën, duke blerë armë kineze si vendi i parë evropian që e bën këtë.
Analisti gjeopolitik dhe gjenerali në pension nga Mali i Zi, Blagoje Grahovac, gjithashtu nuk e sheh ftesën e Beogradit për NATO-n si një afrimi me Perëndimin.
“Serbia po bën çmos për t’u armatosur, ndërsa shtetet e NATO-s i ofrojnë një politikë tjetër, paqësore, prandaj në këtë kontekst duhen parë edhe stërvitjet e mundshme të përbashkëta”, tha ai
Grahovac shtoi se vendimin e NATO-s për stërvitje të përbashkëta e sheh si një ofertë që “politika e Serbisë më në fund të kthjellohet”.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it për detajet e stërvitjes që planifikohet në poligonin Borovac pranë Bujanocit, në jug të Serbisë.
Ky poligon, afër kufirit me Kosovën, përdoret për përgatitjen e njësive për misione ndërkombëtare, përfshirë operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Njoftimin për mbajtjen e stërvitjes e ka publikuar Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli më 7 mars, duke theksuar se do të zhvillohet me ftesë të Serbisë.
“Trajnimi i përbashkët përmirëson ndërveprueshmërinë, forcon bashkëpunimin praktik dhe mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.
Serbia është pothuajse e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s, por autoritetet thonë se nuk do t’i bashkohen kësaj aleance.
“Ne do ta ruajmë neutralitetin tonë, por kemi marrëdhënie korrekte dhe të mira dhe do të vazhdojmë t’i zhvillojmë ato”, ka thënë Vuçiq më 12 mars për RTS.
Në Serbi ekziston një narrativë negative ndaj NATO-s, e mbështetur edhe nga autoritetet, si pasojë e bombardimeve të NATO-s ndaj RFJ-së në vitin 1999 për shkak të krimeve të forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Megjithëse marrëdhëniet janë rikthyer në dekadat e fundit, ky sentiment negativ nuk është zhdukur.
Kurt Basener vlerëson se NATO e ka pranuar ftesën e Serbisë për stërvitje për të ruajtur dhe zhvilluar kontaktet operative dhe komanduese me forcat e armatosura serbe.
Ai shton se ftesa mund të jetë bërë për të forcuar lidhjet e Beogradit me qendrat komanduese të NATO-s dhe oficerët amerikanë.
“Me qëllim që të vendosen lidhje që do të kufizonin çdo marrëdhënie rajonale shumëpalëshe jashtë strukturave të aleancës”, shtoi ai.
Muaj para ftesës për NATO-n, Vuçiq kishte akuzuar Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën se “po formojnë një aleancë ushtarake për të sulmuar Serbinë në një moment”.
Autoritetet e Kroacisë dhe Shqipërisë, dy vende anëtare të NATO-s, si dhe ato të Kosovës, i kanë hedhur poshtë disa herë këto pretendime të Vuçiqit, duke theksuar se nuk është formuar asnjë aleancë ushtarake, por vetëm është nënshkruar një deklaratë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Basener vëren se nuk mund ta ndajë ftesën e Beogradit për NATO-n nga “retorika e nxehur” e Vuçiqit për “përgatitje për sulm” dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë.
“E konsideroj absurde të projektohen plane ekspansioniste kundër Serbisë nga ai marrëveshje mbrojtëse, e cila duket se është e bazuar në programin agresiv të armatimit të Serbisë”, shtoi ai.
Njoftimi për stërvitjen e përbashkët erdhi një ditë pas takimit në Beograd mes presidentit të Serbisë dhe komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Xhorxh Vajkof.
Vuçiq ka bërë të ditur se në atë takim ka theksuar rëndësinë e KFOR-it për paqen dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
“Me shumë gjasë kjo ka të bëjë me interesin e Vuçiqit për të ruajtur praninë e KFOR-it”, vlerëson Basener, duke komentuar ftesën e Beogradit për NATO-n për stërvitje ushtarake.
KFOR-i është, ndër të tjera, përgjegjës për sigurinë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.
Ditët e fundit janë shfaqur edhe raportime se SHBA po rishikon praninë e saj ushtarake në Evropë, përfshirë Kosovën, ndërsa Pentagoni nuk ka konfirmuar e as mohuar ndonjë plan të mundshëm.
Basener e sheh ftesën e Beogradit për NATO-n edhe si një përpjekje të Vuçiqit për të demonstruar aftësinë e tij për të balancuar mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe aktorëve të tjerë si Turqia, Izraeli dhe vendet e Gjirit.
“Ndërsa kjo stërvitje zhvillohet me NATO-n, mendoj se Vuçiq ka në mendje edhe Uashingtonin”, tha ai.
Ai shton se Vuçiq vazhdon të “luajë edhe me BE-në” përmes procesit të zgjerimit dhe dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nën ndërmjetësimin e të cilit zhvillon negociata për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Si vend kandidat për në BE, Serbia vitet e fundit ka intensifikuar bashkëpunimin me Kinën duke blerë armë nga ajo.
Gjithashtu, ajo nuk heq dorë nga lidhjet e ngushta me Rusinë dhe nuk ndjek politikën e BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj kësaj të fundit për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Blagoje Grahovac vlerëson se Beogradi është “i prirur për manipulime”, dhe se edhe ftesa për NATO-n mund të shihet si e tillë.
Serbia nuk e ka hequr zyrtarisht moratoriumin për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, i vendosur në shkurt 2022 pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.
Megjithatë, ka pasur përjashtime, si stërvitjet “Platinasti vuk” në vitet 2023 dhe 2025, të zhvilluara me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
“Kjo tregon rëndësinë që për Ushtrinë e Serbisë ka bashkëpunimi me SHBA-në”, kishte thënë në korrik 2025 ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Bratislav Gašiq.
Gjithashtu, në prill 2025 është zhvilluar një trajnim i përbashkët inxhinierik mes Ushtrisë së Serbisë dhe Gardës Kombëtare të Ohajos.
Presidenti i Serbisë kishte paralajmëruar në nëntor 2023 se do t’i kërkonte Qeverisë të shqyrtojë rikthimin e stërvitjeve të përbashkëta me NATO-n.
Megjithatë, nuk dihet nëse një kërkesë e tillë është bërë, siç kishte paralajmëruar ai gjatë një paraqitjeje me sekretarin e atëhershëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Përveç stërvitjeve me SHBA-në, Ushtria e Serbisë ka zhvilluar edhe stërvitje me ushtrinë kineze.
Në korrik 2025 u mbajt një trajnim dhjetëditor i njësive speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës në provincën kineze Hebei, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.
Kjo ishte stërvitja e parë e përbashkët ushtarake mes Kinës dhe Serbisë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, që nga viti 2022 nuk ka pasur stërvitje të përbashkëta të Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Serbia është kritikuar nga Bashkimi Evropian për stërvitjet e përbashkëta me këto vende.
Për këtë arsye, Beogradi në vitin 2020 kishte anuluar pjesëmarrjen në stërvitjet ruso-bjelloruso-serbe, pasi ato zhvilloheshin në Bjellorusi në kohën e krizës politike pas zgjedhjeve presidenciale.