Shpëtohet familja me tre fëmijë e bllokuar nga bora në rrugën Kullë–Rozhajë

20:00 | 18 Mars 2026
shpetohet-familja-me-tre-femije-e-bllokuar-nga-bora-ne-rrugen-kulle–rozhaje

Gjatë ditës së mërkurë, Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka ndërhyrë për të evakuuar disa persona të bllokuar në rrugën rajonale Kullë–Rozhajë, pas reshjeve të dendura të borës që e bllokuan plotësisht segmentin kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Mes personave të bllokuar ishte edhe një familje kosovare me tre fëmijë, e cila kishte qëndruar për disa orë në mes të stuhisë së borës. Ekipi i ShKShMK-së nga stacioni i Pejës u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes me personel dhe pajisje specialistike, përfshirë edhe motosajën. Teknikët e shpëtimit vlerësuan gjendjen shëndetësore të familjes dhe më pas e evakuuan deri në zonën e sigurt në Pikën Kufitare Kullë.

Ndihmë u ofrua edhe për persona të tjerë të bllokuar në zonë, përfshirë një shofer kamioni shtetas i Malit të Zi, i cili u dërgua dhe u dorëzua autoriteteve malazeze. Operacioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit e Pejës, duke garantuar evakuimin e sigurt të të gjithë personave në rrezik./Telegrafi.

Komento: