
Të paktën tetë persona u vranë gjatë një operacioni policor në një lagje të varfër në qendër të Rio de Janeiro, në vazhdën e aksioneve të përgjakshme në zonat e favelave.
Sipas autoriteteve braziliane, operacioni kishte në shënjestër një drejtues të grupit kriminal Komanda e Kuqe, i cili u vra gjatë përplasjes së armatosur së bashku me disa të dyshuar të tjerë. Një civil humbi jetën pasi mbeti i kapur në mes të zjarrit, shkruan Aljazeera.
Dëshmitarët raportuan se anëtarë të grupit kriminal reaguan duke bllokuar rrugët dhe duke djegur një autobus.
Policia njoftoi gjithashtu për disa arrestime, ndërsa rreth 150 efektivë morën pjesë në operacion në disa zona të qytetit.
Aksioni vjen pas një serie operacionesh të diskutueshme në Rio, përfshirë një ndërhyrje në tetor që la mbi 130 të vrarë dhe u kritikua ashpër për përdorimin e forcës së tepruar.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta politike, me kritika nga opozita për rrezikimin e civilëve, ndërsa autoritetet mbrojnë operacionet si të domosdoshme në luftën kundër krimit të organizuar.