
Një 34-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga shërbimet e policisë kufitare Morinë.
Ai ishte i dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, nga autoritetet holandez.
“Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar F.A., 34 vjeç, banues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Sipas Policisë së Shtetit, nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet holandeze, pasi Gjykata e Limburgut, Holandë, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprat penale “Pastrimi i parave” dhe “Posedimi i lëndëve narkotike të forta”.