
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Bashkësinë Islame e Kosovës, ku gjatë një bisede me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, ka diskutuar mbi sfidat aktuale me të cilat po përballet vendit.
Kurti tha se gjatë kësaj pranvere vendi përballet me dy sfida, stërvitjet ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën dhe ngritjen e çmimit të naftës.
“Provokimet rreth kufirit po shtohen. Përshtypja jonë është që vjen nga dy dështime. I pari është që nuk kanë një strukturë të brendshme. E dyta është se e kanë kuptuar se nuk mund ta mbajnë peng krejt rajonin për integrime në Bashkimin Evropian. Pra Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po thotë kush dëshiron të vijë do t’i krijohen shanset, por duhet t’i bëhen detyrat e shtëpisë. Kush nuk dëshiron të vijë nuk mund t’i pengojë të tjerët dhe kjo i ka acaruar shumë serbët sepse ata e kanë pas privilegjin që pa neve nuk mund të shkonin askund. Kjo është një dëshpërim i dyfishtë. Por siç e thatë edhe ju jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova është e rrethuar me shqiptarë, po mundohen me i frikësu shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, tha ai.